Galatasaray po e konsideron mundësinë për të afruar Sadio Manen gjatë merkatos së janarit, në një transferim që mund të përbëjë një nga surprizat e mëdha të afatit dimëror.
Sipas mediumit turk A Spor, klubi nga Stambolli po studion alternativat për repartin ofensiv, pasi Leroy Sane nuk ka dhënë kontributin e pritur. Për këtë arsye, drejtuesit e Galatasarayt kanë kthyer vëmendjen nga sulmuesi anësor senegalez i Al-Nassr.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, vazhdimi i aventurës së Manes në Arabinë Saudite duket i pasigurt. Kontrata e 34-vjeçarit me Al-Nassr përfundon në fund të këtij sezoni dhe klubi nuk planifikon t’ia rinovojë atë.
Raportohet se ish-futbollisti i Liverpoolit është i gatshëm të heqë dorë nga 60 për qind e pagës së tij dhe të pranojë një marrëveshje afatshkurtër. Megjithatë, kjo gatishmëri nuk ka mjaftuar për të bindur drejtuesit e Al-Nassr.
Kampionët në fuqi të Arabisë Saudite nuk do ta pengonin largimin e tij që në janar, ndërsa çmimi i kartonit të Manes vlerësohet në rreth gjashtë milionë euro.
Vështirësia më e madhe për rikthimin e tij në Evropë lidhet me aspektin financiar. Aktualisht, senegalezi përfiton rreth 40 milionë euro në vit te Al-Nassr, ndaj për të kaluar te një tjetër klub do të duhej të pranonte një ulje të ndjeshme të pagës.
Pavarësisht pasigurisë për të ardhmen, Mane vijon të ketë rol të rëndësishëm në skuadrën saudite. Gjatë këtij sezoni, ai është aktivizuar në 15 ndeshje, duke realizuar tre gola dhe tetë asistime.
Galatasaray mund të bëhet skuadra e ardhshme e 34-vjeçarit, por realizimi i transferimit do të varet nga dakordësia e palëve për kushtet financiare.




