Ushtria amerikane ka realizuar numrin më të madh të fluturimeve të evakuimit nga Afganistani që kur filloi operacioni, por dhuna vdekjeprurëse që ka bllokuar shumë vetë të dëshpëruar për t’u evakuuar të hyjnë në aeroportin e Kabulit vazhdoi dhe talebanët sinjalizuan se së shpejti mund të kërkojnë të ndërpresin transportin ajror.
Në mes të operacionit të tensionuar për të nxjerrë njerëzit nga vendi, drejtori i CIA-s William Burns shkoi në mënyrë sekrete në Kabul të hënën për t’u takuar me udhëheqësin kryesor politik të talebanëve, tha një zyrtar amerikan për agjencinë Associated Press.
Rreth 21,600 njerëz dolën jashtë Afganistanit të kontrolluar nga talebanët në periudhën 24-orëshe që përfundoi herët të martën, tha Shtëpia e Bardhë.
Tridhjetë e shtatë fluturime ushtarake amerikane evakuuan afërsisht 12,700 persona, 8,900 të tjerë u transportuan me 57 avionë të vendeve aleate.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha të hënën se ritmi më i shpejtë i evakuimit ishte pjesërisht për shkak të koordinimit me komandantët talebanë për futjen e të evakuuarve në aeroport.
“Deri tani, dhe me tej duhet koordinim dhe shmangie e vazhdueshme konflikti me talebanët,” tha zoti Kirby. “Kemi parë se kjo metodë ka funksionuar mirë përsa i takon qasjes dhe fluksit të njerëzve, si dhe zvogëlimit të përmasave të turmave jashtë aeroportit.”
Drejtori I CIA-s Burns dhe udhëheqësi kryesor politik i talebanëve, Abdul Ghani Baradar, patën një takim sekret në Kabul të hënën ndërsa evakuimet vazhduan. Gazeta Washington Post ishte e para që njoftoi për takimin e zotit Burns. Zyrtari amerikan më vonë konfirmoi takimin për agjencinë AP.
Me qasjen ende të vështirë, ushtria amerikane doli nga aeroporti për të kryer një transportim tjetër të amerikanëve me helikopter. Zyrtarët amerikanë thanë se një helikopter ushtarak mori 16 shtetas amerikanë të hënën dhe i solli ata në aeroport për evakuim. Ky ishte të paktën i dyti mission i tillë i shpëtimit përtej aeroportit.
Këshilltari i Presidentit Joe Biden për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, tha në Shtëpinë e Bardhë se bisedimet me talebanët po vazhdojnë ndërsa administrata kërkon mënyra shtesë për të zhvendosur në mënyrë të sigurt më shumë amerikanë dhe të tjerë në aeroportin e Kabulit deri në fund të gushtit.
“Ne jemi në bisedime me talebanët çdo ditë përmes kanaleve politike dhe të sigurisë,” tha ai, duke shtuar se në fund të fundit do të jetë vetëm vendimi i presidentin Biden nëse do të vazhdojë operacionet e evakuimit të drejtuara nga ushtria përtej 31 gushtit, data që ai ka caktuar për përfundimin e tërheqjes së trupave.
Ligjvënësi demokrat i Kalifornisë, Adam Schiff, kryetar i komisionit të zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, u tha gazetarëve se e kishte të vështirë ta imagjinonte se transporti ajror do të përfuntonte deri në 31 gusht.
Pentagoni tha se ka shtuar një bazë të katërt ushtarake amerikane, në Nju Xhersi përveç atyre në Virxhinia, Teksas dhe Uiskonsin – që janë përgatitur për të strehuar përkohësisht afganët që vijnë në Shtetet e Bashkuara. Gjeneral Majori Hank Williams, zëvendës drejtor i Shtabit të Përbashkët për operacionet rajonale, u tha gazetarëve se 1,200 afganë ndodhen aktualisht në këto baza. Të katër bazat së bashku janë në gjendje të strehojnë deri në 25,000 të evakuuar, tha zoti Kirby./VOA