Mërgim Vojvoda u shpreh i zhgënjyer pas barazimit 0-0 të Kosovës me Izraelin. Mbrojtësi tha se Dardanët patën më shumë mundësi për të fituar, por nuk arritën t’i kthenin rastet në gola.
Pas ndeshjes, ai vlerësoi paraqitjen e Kosovës, duke përmendur rastet e krijuara dhe ndikimin që pati kartoni i kuq në zhvillimin e takimit.
Të lidhura
None found
“Nisur nga loja, jemi të dëshpëruar, sepse patëm shumë më tepër raste për ta fituar ndeshjen, por nuk shënuam. Më pas erdhi kartoni i kuq dhe gjithçka ndryshoi”, tha Vojvoda.
Sipas mbrojtësit, skuadra rrezikoi në disa mënyra, përfshirë edhe goditjet nga këndi, por nuk arriti të përfundonte me sukses aksionet.
“Ajo që na mungoi ishte goli. Si ekip krijuam raste dhe mundësi, përfshirë nga rivëniet këndore, si dhe bëmë vrapimet e duhura. Na mungoi vetëm goli”, u shpreh ai.
Vojvoda u pyet edhe për Florent Muslijën, mungesën e të cilit përzgjedhësi Franco Foda e kishte përmendur pas ndeshjes, duke thënë se ai mund të ndihmonte në krijimin e rasteve dhe në pasimin e fundit.
Mbrojtësi nënvizoi se futbollistët që janë në dispozicion duhet të marrin përgjegjësi dhe të mos i përdorin mungesat si arsye.
“E dimë se Florenti është lojtar i rëndësishëm, por nuk duhet të flasim për ata që nuk janë këtu. Përgjegjësinë duhet ta marrin ata që luajnë, pra ne që jemi këtu. Na mungoi goli”, përfundoi Vojvoda.





