Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, ka prezantuar disa udhëzime për organizimin e strukturave dhe përgatitjen e garës vendore të vitit 2027. Sipas tij, rezultati në këto zgjedhje duhet të shërbejë edhe si bazë për fitoren në zgjedhjet parlamentare të vitit 2029.
Balla kërkoi që përzgjedhja e kandidatëve për kryetarë bashkie të zhvillohet me kujdes, duke nënvizuar nevojën që drejtuesit vendorë të jenë fizikisht pranë komuniteteve që përfaqësojnë. Ai theksoi se bashkitë nuk duhet të menaxhohen nga Tirana dhe vendosi si objektiv marrjen e drejtimit të të 46 bashkive të vendit. Në fjalën e tij, ai kërkoi gjithashtu forcimin e organizimit për përballjen në hapësirën digjitale.
Të lidhura
None found
Çfarë deklaroi Taulant Balla në Asamble:
“Kandidatët për kryetarë bashkie në vitin 2027 duhet të vlerësohen edhe në funksion të fitores së zgjedhjeve të 2029. Drejtuesit e bashkive duhet të jetojnë 24 orë pranë komuniteteve përkatëse dhe jo ta drejtojnë bashkinë nga Tirana.
Për Tiranën duhet të zhvillojmë një proces të kujdesshëm përzgjedhjeje, në mënyrë që të kandidojmë personin që na jep rezultatin më të mirë. Duhet t’i kushtojmë vëmendje edhe betejës digjitale dhe për këtë nevojitet një organizim më i fortë. Partia Socialiste hyn në garë me synimin për të fituar në 46 bashkitë”.



