Ravanelli kërkon Zhegrovën në fushë: Në betejë do të zgjidhja lojtarë të tillë

Fabrizio Ravanelli kërkon që Edon Zhegrova dhe Kerim Alajbegoviçi të marrin më shumë hapësirë te Juventusi i Luciano Spallettit. Pas suksesit ndaj Napolit, që ka rihapur debatin mbi potencialin e bardhezinjve, ish-sulmuesi legjendar i klubit ka veçuar të dy futbollistët si elementë që duhet të jenë në formacion.

Në emisionin “Penna Bianca”, të transmetuar në kanalin e Tuttosport në YouTube, Ravanelli u ndal te aktivizimi i kufizuar i përfaqësuesit të Kosovës. Ai shprehu habi që Zhegrova merr kaq pak minuta dhe kërkoi që t’i jepet një rol qendror në skuadër.

Të lidhura

None found

Sipas tij, është e vështirë të shpjegohet përse Zhegrova nuk e fillon asnjëherë takimin si titullar. Ravanelli theksoi se, edhe në çaste vështirësie mendore, lojtarët duhet të mund të mbështeten te njëri-tjetri, veçanërisht kur të tjerët shmangin përgjegjësinë. Për një betejë, shtoi ai, do të donte në krah pikërisht futbollistë të këtij lloji.

Ish-sulmuesi solli në vëmendje edhe një aksion të Zhegrovës në përballjen me Napolin, i cili ndihmoi në shënimin e golit. Për Ravanellin, ky ishte një argument më shumë se lojtarë me këto cilësi duhet të qëndrojnë në fushë.

Duke analizuar Juventusin, ai vuri në dukje mungesën e personalitetit dhe të guximit në situata të vështira. Në këtë drejtim, vlerësimi i tij u përqendrua veçanërisht te Alajbegoviçi dhe ndikimi që pati në ndeshjen kundër Napolit.

Ravanelli kujtoi se mungesa e personalitetit te bardhezinjtë është përmendur vazhdimisht, ndërsa këtë herë takimin e vendosi një 19-vjeçar. Sipas tij, personaliteti është një cilësi që ose e zotëron, ose jo. Për ta ilustruar këtë, ai tregoi se në moshën 17 vjeç merrte përsipër penalltitë e Perugias në Serie C.

Përveç golit të Alajbegoviçit, Ravanelli çmoi përfshirjen e vazhdueshme të mesfushorit ofensiv në lojë dhe përpjekjet e tij për të krijuar epërsi numerike.

Në vlerësimin e ish-sulmuesit, si Zhegrova, ashtu edhe Alajbegoviçi duhet të luajnë te Juventusi, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës duhet të përshtatet rreth tyre. Ai shtoi se reagimi i Alajbegoviçit duhet ta ketë lënë të kënaqur Spallettin.

Ravanelli u shpreh gjithashtu se Luciano i pëlqen sfidat dhe duhet ta ketë kuptuar tashmë se ka në dispozicion një futbollist me karizëm. Veprimet e Alajbegoviçit, sipas tij, ishin ato të një lojtari të guximshëm, që nuk ndikohet nga presioni.

Me këto qëndrime, ish-sulmuesi i Juventusit i ka dhënë një tjetër vlerësim Zhegrovës, i cili synon të sigurojë më shumë hapësirë në ekipin e Spallettit.