Ahmeti pas fitores në Bërvenicë: Ky vend u përket shqiptarëve autoktonë

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, mori pjesë në Bërvenicë, ku foli pas fitores së Arkin Jahijit. Ai theksoi se bëhet fjalë për një komunë me shumicë shqiptare dhe se qytetarët kanë të drejtë të drejtohen nga një kryetar shqiptar.

Ahmeti deklaroi gjithashtu se Maqedonia nuk është pronë e Hristijan Mickoskit apo e Branko Cërvenkovskit, por është atdheu i shqiptarëve autoktonë.

Të lidhura

None found

“Sonte, vëmendja e të gjithë shqiptarëve do të përqendrohet te Bërvenica, një komunë ku 65% e banorëve janë shqiptarë dhe ku kryetari duhet të jetë shqiptar. Falënderoj të gjithë ata që sot zgjodhën të ardhmen e komunës. Arkini tashmë është përfaqësues i të gjithë qytetarëve të Bërvenicës”, u shpreh ai.

Kreu i BDI-së kritikoi edhe disa politikanë maqedonas, të cilët, sipas tij, e kishin cilësuar përfaqësuesin e tyre si kriminel. Ai tha se deklaratat e nxituara dëmtojnë bashkëjetesën dhe se drejtuesit politikë nuk mund të marrin rolin e prokurorit.

“Shpresoj që raste të tilla të mos përsëriten dhe që të gjithë të punojmë për më shumë afërsi e komunikim”, deklaroi Ahmeti.

“Maqedonia nuk i përket as Hristijanit dhe as Branko Cërvenkovskit. Ajo është atdheu i shqiptarëve autoktonë, të cilët nuk i kanë bërë keq askujt, ndërsa të tjerët kanë ushtruar padrejtësi ndaj nesh. Ne jemi shtetformues dhe do t’i dalim zot këtij vendi. Ata që kanë ende dilema duhet të na mbështesin në këtë qëndrim të qartë. Ne marrim përgjegjësinë për t’i çuar përpara proceset në vendin që na takon”, tha ndër të tjera Ahmeti.