Demonstratat e zhvilluara nga të rinjtë në disa vende europiane, me kërkesa për arsim më të mirë dhe kushte më të përballueshme jetese, u shoqëruan me dhunë, përplasje me forcat e rendit, grabitje dhe dëmtime të pronës.
Protestat u zhvilluan në Francë, Gjermani, Zvicër, Portugali dhe Shqipëri, ndërsa në Francë u arrestuan më shumë se 770 persona. Në Frankfurt të Gjermanisë, mbi 100 efektivë policie mbetën të plagosur gjatë trazirave.
Të lidhura
None found
Në Gjermani, më shumë se 100 mijë njerëz marshuan të shtunën në mbi 30 qytete, nën sloganin “Gen Z regelt” (Gjenerata Z do t’i zgjidhë vetë gjërat). Protestuesit kërkuan ndryshime në sistemin arsimor dhe uljen e kostos së jetesës.
Në Frankfurt, persona të maskuar dëmtuan 17 dyqane dhe plaçkitën pesë prej tyre. Ministri i Brendshëm i landit të Hessenit, Roman Poseck, deklaroi se gjatë trazirave u hodhën edhe sende të forta, mes tyre bomba molotov.
Në Francë, rreth 320 mijë persona protestuan të shtunën në Paris, Marsejë, Grenoble, Bordo, Lion dhe Tuluzë. Prokuroria e Parisit ka nisur një hetim për tentativë vrasjeje ndaj personave që ushtrojnë autoritet publik, pasi mjete ndezëse u hodhën drejt një grupi prej rreth 15 xhandarësh dhe policësh.
Situata atje ishte më e qetë se më 17 tetor, kur u arrestuan 2 600 persona dhe u plaçkitën deri në 3 000 dyqane, në një prej netëve më të rënda të trazirave urbane në historinë e afërt të Francës.
Në Shqipëri, protestuesit kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama, duke iu referuar akuzave për korrupsion. Në përfundim të tubimit, të rinjtë u përplasën me policinë, hodhën gurë e bomba molotov dhe dogjën kosha mbeturinash.
Sipas Ministrisë së Brendshme, protestat lanë të plagosur 350 persona, përfshirë 200 efektivë policie, ndërsa 269 të mitur u arrestuan.
Në Portugali, policia ndërhyri për të shpërndarë kampet e protestuesve. Në Lisbonë, protestuesit u larguan me forcë nga sheshi Rossio pas një marshimi kundër krizës së strehimit, ndërsa edhe një kamp në Porto u shpërbë nga autoritetet.
Demonstruesit kërkojnë anulimin e një projektligji që lehtëson dëbimin e qiramarrësve dhe heq kufizimet e qirave për kontratat e reja.
Në Zvicër, protestat e paautorizuara në Cyrih dhe Bazel përfunduan në përleshje. Forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome, ndërsa protestuesit hodhën gurë, shishe dhe fishekzjarrë ndaj policisë.
Gjatë incidenteve u dëmtuan dyqane, automjete dhe biçikleta, ndërsa përplasje u raportuan edhe në Gjenevë.








