Studentët pranojnë modelin e ri të subvencionimit, por kërkojnë plotësimin e dy kushteve

“Rezistenca Studentore” ka reaguar ndaj propozimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për skemën e re të subvencionimit të ushqimit studentor, duke e pranuar rritjen e shumës mujore nga 3.500 në 4.500 denarë. Megjithatë, organizata ka kërkuar plotësimin e dy kushteve para zbatimit të modelit.

Kushti i parë është që marrëveshjet e arritura të përfshihen në Ligjin për ushqimin e subvencionuar studentor. Gjithashtu, studentët kërkojnë që paraprakisht të bëhet publike lista e kompanive dhe marketeve ku mund të përdoren mjetet.

Të lidhura

None found

“Pranimin e modelit të propozuar e kushtëzojmë me përfshirjen e zgjidhjeve të dakorduara në ligj dhe publikimin me kohë të listës së kompanive dhe marketeve“, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas propozimit, do të krijohet një sistem i posaçëm digjital, i emërtuar „M ushqimi studentor“, i cili do të funksionojë përmes aplikacionit “M.shërbiomet”. Në kuadër të këtij modeli, subvencioni mujor do të rritet në 4.500 denarë.

Skema parashikon edhe ulje shtesë në marketet dhe kompanitë që do të jenë pjesë e sistemit. Këto zbritje do të mbeten në fuqi deri në përfundim të muajit, edhe në rast se studenti nuk e ka përdorur të gjithë shumën në dispozicion.

Propozimi iu paraqit përfaqësuesve të parlamenteve studentore gjatë takimit të së mërkurës me kryeministrin dhe ministren e Arsimit. Pas takimit, kryeministri deklaroi se pret qëndrimin e studentëve dhe tha se edhe ata ishin pajtuar që modeli i ri është më i favorshëm se sistemi aktual.

Pas qëndrimit pozitiv të “Rezistencës Studentore”, mbetet për t’u parë nëse Qeveria do t’i përfshijë edhe kërkesat e tyre në zgjidhjen ligjore.