Studentja e Psikologjisë, Livia Dedej, deklaroi në emisionin “Review” të Euronews, të moderuar nga Greta Topjana, se protesta studentore duhet të mbetet e lidhur me shqetësimet e qytetarëve dhe të mos përdoret nga forcat politike.
Sipas saj, në Shqipëri ka një nivel të lartë mosbesimi ndaj qeverisë dhe opozitës. Dedej theksoi se studentët nuk janë rreshtuar me asnjë parti, por kanë dalë në shesh për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Për këtë arsye, ajo kërkoi që deputetët që mbajnë përgjegjësi për situatën e vendit të mos përpiqen të përfitojnë politikisht nga protesta.
Të lidhura
None found
Dedej vlerësoi ndihmën e çdo qytetari që ka marrë pjesë në protestë, pavarësisht nëse është ose jo pjesë e Partisë Demokratike. Ajo përmendi edhe mbështetjen e selisë së PD-së, e cila, sipas saj, ka strehuar protestues, përfshirë miq të saj, duke i mbrojtur nga gazi lotsjellës, dhuna policore dhe situata të tjera të vështira. Studentja falënderoi gjithashtu personat që kanë ofruar asistencë ligjore për protestuesit.
Megjithatë, ajo nënvizoi se Partia Demokratike duhet së pari të përballet me arsyet që kanë krijuar mosbesimin e madh ndaj saj, përpara se të përfshihet në protestë. Përplasjet, tha Dedej, janë të pashmangshme, pasi nuk mund t’u bindet çdo studenti dhe protestuesi se prania e opozitës në shesh ka vetëm qëllime pozitive.
Studentja u shpreh se nuk mund të anashkalohen interesat personale të disa deputetëve apo simpatizantëve. Ajo theksoi se korrupsioni nuk mund t’i atribuohet vetëm Partisë Socialiste, pasi ka qenë problem i lidhur me të gjithë parlamentin, ku përfaqësohet edhe Partia Demokratike.
“Ne nuk jemi mbështetës të duarve të huaja. Ndodhemi në shesh për të shprehur pakënaqësitë tona”, u shpreh Livia Dedej.
Ajo shtoi se deklaratat e Partisë Demokratike mund t’i vendosin studentët në një pozitë ku opinioni publik t’i konsiderojë të paguar ose të angazhuar për të mbështetur opozitën, duke cenuar karakterin e pavarur të protestës.
Dedej sqaroi se kërkesa për largimin e deputetëve nuk nënkupton largimin e demokratëve. Sipas saj, bëhet fjalë për ata politikanë që kanë lejuar ose kanë ndikuar në krijimin e gjendjes aktuale të Shqipërisë dhe që, për këtë arsye, nuk mund të priten me duart hapura nga protestuesit.






