Oferta e Qeverisë për rritjen e subvencionit mujor të shujtës studentore në 4.500 denarë vijon të jetë në vlerësim nga parlamentet studentore.
Ky propozim u bë pas takimit të fundit të përfaqësuesve të studentëve me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministren e Arsimit, Vesna Janevska.
Të lidhura
None found
Janevska shprehet se, në parim, palët kanë arritur një dakordësi, pasi ndryshimi do të ishte në interesin e përbashkët.
“Në parim besoj se kemi marrëveshje. Tani pres përgjigjen e studentëve dhe nuk kam dyshime se ata do ta pranojnë, në mënyrë që kjo Qeveri, për kënaqësinë e të dyja palëve, të vazhdojë të jetë pranë tyre. Ne jemi të përkushtuar ndaj të rinjve”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se pret dokumentin ose qëndrimin e studentëve, i cili ishte paralajmëruar të dërgohej menjëherë pas takimit.
“Ne ua prezantuam propozimin e Qeverisë dhe vlerësuam se ai është dukshëm më i favorshëm se zgjidhja aktuale, me të cilën edhe ata u pajtuan. Tani jemi në pritje të përgjigjes. Na ishte thënë se brenda së njëjtës ditë, deri në mbrëmje, do të merrnim versionin që studentët do t’ua përcillnin kolegëve të tyre. Kjo nuk ndodhi. Sot është dita e dytë dhe shpresojmë ta marrim”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Sipas përllogaritjeve, vlera e shujtës javore do të rritej nga 140 në 180 denarë. Skema e propozuar parashikon që përdorimi i mjeteve të bëhet përmes një shërbimi të veçantë digjital në aplikacionin “M – uslugi”, duke zëvendësuar kartelat aktuale të pagesës.
Gjithashtu po shqyrtohet mundësia që studentët të përfitojnë ulje të tjera për ushqimet te shitësit që do të jenë pjesë e sistemit. Ndryshimi i propozuar synon që fondet të shpenzohen vetëm për ushqim dhe jo për produkte të tjera./Alsat.mk.








