Publicisti serb Zlatoje Martinov e sheh si zhvillim pozitiv humbjen e presidentit Aleksandar Vuçiq në zgjedhjet parlamentare, por paralajmëron se përbërja ideologjikisht e larmishme e Listës Studentore mund ta vështirësojë qeverisjen dhe politikën e jashtme të Serbisë.
Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK), të publikuara më 26 tetor, Lista Studentore fitoi zgjedhjet e mbajtura më 25 tetor, me 52,71 për qind të votave dhe 140 mandate. “Serbia e Bashkuar”, lista e mbështetur nga Vuçiqi, mori 39,17 për qind dhe 104 mandate.
Të lidhura
None found
Lista e drejtuar nga Ivica Daçiq siguroi 2,17 për qind të votave, por nuk fitoi mandate. RIK-u kishte përpunuar të dhënat nga 8.187 prej 8.392 vendvotimeve. Deri në atë fazë ishin numëruar 4.246.513 vota të vlefshme dhe 55.472 fletëvotime të pavlefshme.

Koalicioni Shqiptar mori 27.670 vota, përkatësisht 0,64 për qind, dhe siguroi dy vende në Kuvendin e Serbisë, sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 25 tetor 2026.
Martinov e përshkruan humbjen e Vuçiqit si lajm të mirë, duke e cilësuar atë diktator, populist dhe totalitarist. Ai vëren se Serbia, përveç Rusisë dhe Bjellorusisë, është i vetmi vend ku të gjitha komunat kontrollohen nga Partia Progresive Serbe (SNS), pa asnjë komunë të drejtuar nga opozita.
Megjithatë, sipas publicistit, Lista Studentore përmban rryma të ndryshme, përfshirë nacionalistë, rusofilë dhe kundërshtarë të Perëndimit. Ai thotë se kjo larmi mund të krijojë vështirësi si në politikën e jashtme, ashtu edhe në drejtimin e vendit. Sipas tij, edhe e majta e re serbe anon nga Rusia dhe është kundër integrimit evropian, ashtu si e djathta populiste.
Martinov argumenton se fitorja u mundësua nga afrimi i Listës Studentore me grupe të ndryshme politike e shoqërore: të majtën, të djathtën, qendrën, Kishën, klerikalistët, përkrahësit e Rusisë dhe mbështetësit e rrugës së Serbisë drejt BE-së. Por, sipas tij, afrimi me këta të fundit ishte më i kufizuar. Në protesta, thotë ai, u panë kryqe, ikona dhe flamuj pror rusë, ndërsa flamujt e BE-së u lanë në hije ose u ndaluan.
Ai e krahason këtë bashkim kundër Vuçiqit me koalicionin e 18 partive me orientime të ndryshme që çoi në rrëzimin e Slobodan Millosheviqit më 5 tetor 2000. Martinov shpreh shqetësimin se Vuçiqi mund të jetë mposhtur jo për shkak të autoritarizmit e populizmit, apo mosrespektimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit me Kosovën, por ngaqë i pranoi ato. Sipas tij, një pjesë e madhe e Listës Studentore e konsideron këtë pranim si “tradhti ndaj Kosovës”.
Publicisti i sheh si sinjale shqetësuese edhe deklaratat e dy anëtarëve të rëndësishëm të listës, të cilët, sipas tij, pritet të bëhen ministra. Ai thotë se të nesërmen e zgjedhjeve ata dhanë intervista për Russia Today dhe jo për The New York Times apo The Guardian. Njëri deklaroi se qeveria e re nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë, ndërsa tjetri tha se do të respektohet Kushtetuta e Serbisë, e cila e përcakton Kosovën si pjesë të patjetërsueshme të Serbisë. Për orientimin evropian të vendit, sipas Martinovit, nuk u fol.
Martinov pyet se si do të dallohet qeveria e re nga ajo e Vuçiqit, nëse edhe ajo kundërshton lëshimet për Kosovën dhe nuk e përafron politikën e jashtme me BE-në për shkak se nuk dëshiron të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Për këtë arsye, ai nuk pret përparime të rëndësishme nga pala serbe në dialogun Kosovë-Serbi dhe parashikon se retorika e qeverisë së re do të jetë afër asaj të Vuçiqit. Megjithatë, ai këshillon Kosovën të përpiqet të dialogojë me qeverinë e ardhshme serbe, me përkrahjen e plotë të BE-së. Sipas tij, kjo do t’i siguronte Kosovës legjitimitet demokratik para bashkësisë ndërkombëtare, pavarësisht nëse “Serbia e re” pranon apo refuzon bisedimet.






