Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka miratuar vendimin për formimin e grupit punues që do të hartojë Projektligjin për Pensionimin e Parakohshëm të personelit policor në Policinë e Kosovës.
Sipas vendimit, drejtimin e grupit do ta marrë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Viktor Buzhala, ndërsa funksionin e zëvendësudhëheqësit do ta ushtrojë Qëndrim Bytyqi nga MPB-ja.
Të lidhura
None found
Pjesë e këtij grupi janë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës, institucioneve të tjera, si dhe të Sindikatës së Policisë së Kosovës, raporton RTKLive.
Detyrat e grupit përfshijnë hartimin e versionit fillestar të projektligjit, drejtimin e konsultimeve paraprake dhe publike, si dhe përgatitjen e dokumenteve të kërkuara nga Rregullorja e Punës së Qeverisë.
Kur drafti fillestar dhe dokumentacioni shoqërues të përfundojnë, udhëheqësi i grupit punues do t’ia përcjellë projektaktin drejtorit të Departamentit Ligjor. Në mungesë të vërejtjeve, drejtori do ta procedojë atë për miratim.
Vendimi përcakton gjithashtu se të gjitha njësitë përkatëse të MPB-së dhe zyrtarët duhet të bashkëpunojnë me grupin dhe t’i vënë në dispozicion të dhënat e kërkuara nga udhëheqësi i tij.
Dokumenti mban nënshkrimin e ministrit Xhelal Sveçla dhe ka hyrë në fuqi në ditën kur është nënshkruar.





