Konjufca: Kosova synon anëtarësimin në NATO si prioritet të politikës së jashtme

Gjatë takimit të zhvilluar sot me delegacionin e Komisionit Politik të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, kryediplomati Glauk Konjufca rikonfirmoi angazhimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike. Sipas tij, ky hap do të kontribuonte në garantimin e sigurisë afatgjatë të Kosovës dhe të mbarë Ballkanit Perëndimor.

Konjufca deklaroi se anëtarësimi në NATO do të përfaqësonte në nivel institucional orientimin euroatlantik të Kosovës, i cili mbështetet te historia e çlirimit, vlerat demokratike dhe mbështetja e gjerë qytetare. Ai nënvizoi se integrimi në Aleancë është një prej objektivave kryesore të politikës së jashtme të Kosovës.

Të lidhura

None found

Kryediplomati vlerësoi gjithashtu përkrahjen e dhënë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s për Kosovën dhe theksoi rolin e diplomacisë parlamentare në forcimin e marrëdhënieve dhe në afrimin e vendit me Aleancën, raporton KosovaPress.

Duke u ndalur te siguria në rajon, ai tha se Ballkani Perëndimor ka nevojë për një klimë të qëndrueshme sigurie, e cila të jetë e mbrojtur nga lëkundjet politike dhe të pakësojë hapësirat për destabilizim.

Sipas Konjufcës, përfshirja e Kosovës në NATO do të rriste sigurinë rajonale, pasi vendi do të bëhej pjesë e mekanizmit të mbrojtjes kolektive dhe do të thellonte bashkëpunimin me shtetet aleate.

Ai shtoi se Kosova synon të ruajë sigurinë e krijuar në bashkëpunim me aleatët e saj, duke u bërë pjesë e së njëjtës Aleancë euroatlantike.


Shtuar më 29.10.2026 18:23