Nuk kërkojmë suspendime, por burgosje”: marsh protestues në Prishtinë për vrasjen e Arlinda Zekajt

Qindra qytetarë u mblodhën sërish në Prishtinë, duke kërkuar drejtësi për vrasjen e rëndë në Vitomiricë të Pejës.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj. Ngjarja nxiti reagime të forta nga qytetarët, shoqëria civile dhe institucionet vendore. Tri ditë para vrasjes, ajo i kishte dërguar letër kryeprokurores së Pejës, duke e paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.

Të lidhura

None found

Marshi protestues, që u mbajt për të dytën ditë radhazi, u nis nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe vazhdoi drejt Ministrisë së Drejtësisë. Protestuesit hodhën tymues, më pas u drejtuan te stacioni i policisë, ku lëshuan audio-incizime të Zekajt me një zyrtar policor. Në fund, ata u ndalën para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Më 22 tetor, vetëm tri ditë para vrasjes, Zekaj kishte paraqitur një parashtresë pranë kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë. Në të kërkonte masa urgjente ndaj zyrtarëve përgjegjës, duke pretenduar se nuk i kishin kryer detyrat zyrtare.

Dokumenti, i vulosur si i pranuar më 22 tetor, përmbante paralajmërimin e saj për rrezikun që po përjetonte. Ajo shprehte shqetësimin se institucionet mund të ndërhynin vetëm pasi të humbiste jetën dikush.

Kryeministri Albin Kurti kritikoi mënyrën si funksionon sistemi i drejtësisë në Kosovë dhe rikujtoi se raportet e Bashkimit Evropian ndër vite kanë evidentuar mangësi në këtë fushë. Pas vrasjes së Zekajt, ai tha se duhet kërkuar urgjentisht llogari edhe nga hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit.

Në mbledhjen e mbajtur sot, Këshilli Prokurorial i Kosovës pezulloi nga detyra kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani Gacaferi. Për të dyja u hap edhe procedurë hetimore.

Në lidhje me rastin tragjik në Vitomiricë të Pejës, deri tani janë suspenduar gjithsej 11 policë.

Protesta të ngjashme u zhvilluan gjatë ditës edhe në Ferizaj. Për nesër janë paralajmëruar tubime protestuese në Pejë dhe Mitrovicë.


Shtuar më 29.10.2026 18:44