Gjatë fjalës së tij në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Fatmir Mediu, kërkoi një zgjidhje politike për krizën në vend, duke theksuar se ajo duhet të nisë me dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie kujdestare për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Mediu bëri thirrje për një reformë zgjedhore dhe administrative me konsensus, si dhe për reflektim të përbashkët politik, përtej ndasive partiake.
Të lidhura
None found
Gjithashtu, Mediu u ndal dhe te dhuna policore javët e fundit të protestave që shtrihet karshi gjithë qytetarëve.
Fjala e plotë:
Unë do të dëshiroja që të vazhdoja pak në shqetësimin e kolegut tim Çela, për faktin sepse mendoj që nga, pavarësisht se kemi dallime politike me njëri-tjetrin, jemi deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Dhe si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë ne nuk përfaqësojmë qeverinë, por përfaqësojmë ata që ne pretendojmë që na kanë zgjedhur. Dhe për ta bërë atë detyrë ashtu siç duhet, ne duhet patjetër që të kemi një qeverisje e cila respekton ligjin, respekton kushtetutën dhe respekton qytetarët e vet. Të gjithë historitë e këtyre muajve ka treguar që qeveria nuk pyet për asnjë çështje, për asnjë problem, për asnjë interes qytetar dhe as për interesin e Shqipërisë. Dhuna që ushtrohet në mënyrë sistematike nuk është dhunë vetëm karshi atyre që protestojnë në shesh. Është një dhunë që ushtrohet karshi të gjithë qytetarëve shqiptarë. Por edhe karshi nesh si deputetë. Ne nuk jemi këtu që të na i vendosë qeveria, por përkundrazi, sepse ne e kemi zgjedhur qeverinë. Dhe qeveria duhet të japë hesap te Kuvendi i Shqipërisë.
Dhe siç e tha dhe zoti Çela, ne nuk mund ta shikojmë sikur po ecim në mënyrë normale, por duhet që si komision, si deputetë pavarësisht nga krahët, të mbajmë një qëndrim se çfarë duhet të ndodhë në vendin tonë. Në qoftë se rrinim në një rrugë duke kërkuar disa gjëra të cilat nën zë i themi dhe i pranojmë të gjithë pavarësisht nga dallimet politike, përsa i përket korrupsionit, përsa i përket krimit, përsa i përket problemeve të jetës ekonomike dhe sociale në Shqipëri, ky duhet të jetë si të them edhe momenti i reflektimit tonë të përbashkët.
Prandaj do të kërkoja që në këtë angazhim që foli zoti Çela për zgjidhje politike, por edhe qëndrimit tashmë të konfirmuar të opozitës, nga të gjithë deputetët e opozitës me një deklaratë për zgjidhjen politike, të ulemi e të shikojmë se cilat janë rrugët e zgjidhjes, e të mos presim ç’do të na thotë qeveria apo ç’do të na thotë një interes tjetër përveç interesit të qytetarëve shqiptarë. Në këto momente ka vetëm një rrugë, dhe kjo rrugë është zgjidhja politike. Zgjidhja politike që kërkojnë qytetarët është ajo zgjidhje që fillon me dorëheqjen e qeverisë.
Dhe dua ta theksoj që pushteti nuk është i një individi, pushteti dhe shteti është i shqiptarëve, respektimi i lirive dhe të drejtave të tyre. Do të rikujtoj këtu thënien e një nga folësve në protestë, doktorit Ermal Pashaj i cili përdori një shprehje që tha një grua e vjetër një nënë më ka thënë që në qoftë se karrigia do të ishte kaq e mirë, nuk do të kishin vendosur prapanicën po do kishin vendosur kokën. Pra ne nuk mund të luftojmë për interesin e kujtdo i cili do të rrijë në pushtet pavarësisht nga situata, por ne duhet të luftojmë për interesin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Dhe dorëheqja nuk është një mëkat, dorëheqja është përgjegjësi dhe reflektim në raport me situatën. Dhe ne besoj të gjithë kemi nevojë për të arritur në një lloj stabiliteti politik dhe një marrëdhënie të drejtë me qytetarët dhe e vetmja rrugë për ta bërë këtë është t’u japim qytetarëve besimin që këtu në Shqipëri zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Dhe këto zgjedhje të lira dhe të ndershme kanë nevojë për institucione të cilat nuk i shërbejnë pushtetit por i shërbejnë qytetarëve dhe shtetit. Prandaj një qeverisje kujdestare e cila është provuar dhe në vende të tjera si një element i rëndësishëm i një tranzicioni politik dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të funksionojë edhe në Shqipëri. Por për të shkuar në zgjedhje kemi nevojë edhe për një reformë zgjedhore me konsensus, kemi nevojë për një reformë administrative me konsensus. Kemi nevojë ndoshta dhe për ndryshime kushtetuese të cilat limitojnë veprimin, qëndrimin, kohëzgjatjen e njerëzve në pozicione të caktuara, në mënyrë që të mos vijnë momente të tilla që domethënë kemi autoritete të cilat nuk pyesin më as për Kuvend, as për qytetarë, por mendojnë që pushteti është pronë e tyre, duke dalë edhe në absurditete të tilla që domethënë, kushdo që mendon ndryshe është i paditur, është kokëbosh dhe i pazoti për të bërë. Shqipëria ka me mijëra njerëz më të zotë se Edi Rama apo edhe ne që jemi këtu. Dhe ky është një proces i cili duhet t’i takojë shqiptarëve dhe jo interesit personal qoftë ky edhe kryeministri i vendit.
Dhe duke mbyllur te ky pozicion që ne kemi zoti kryetar, siguria kombëtare nuk cënohet vetëm nga ato lajme që përpiqen të na japin se kush po ndërhyn e si po ndërhyn. Siguria kombëtare cënohet kur kryeministri nuk respekton kushtetutën, kur institucionet nuk funksionojnë, kur nuk respektohet ligji, kur nuk respektohen liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Prandaj le të ulemi njëherë si kolegë, si deputetë, pavarësisht ndarjes politike që kemi për të parë se kush është e mira e vendit. Dhe jo gjithmonë e mira e vendit është e mira e kryeministrit. E mira e vendit është e mira e qytetarëve shqiptarë, atyre që protestojnë. Kështu që duhet bërë një reflektim nga gjithsecili nga ne, duke qëndruar mbi partitë politike, duke qëndruar mbi çdo individ pavarësisht çfarë pushteti ka dhe sa autoritet ka qoftë edhe me karrierën e gjithsecilit nga ne që jemi këtu. Nuk ka asnjë gjë më të mirë sesa me dhënë një zgjidhje politike. Është përgjegjësi politike dhe një proces i cili hap rrugë për mirëkuptim politik.




