Këtë të mërkurë, ish-numri dy i qeverisë, Belinda Balluku, është paraqitur sërish në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, e shoqëruar nga avokati Ardian Kalia.
Raportohet se SPAK i ka komunikuar Ballukut, perfundimin e hetimeve. Balluku akuzohet nga SPAK për shkelje me tenderët e Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe.
Të lidhura
None found
Gjithashtu, bëhet me dije nga burime pranë SPAK se sot Belinda Ballukut i janë komunikuar edhe akuzat e tjera për shpërdorim detyre, pastrim parash, korrupsion dhe fshehje pasurie.
Akuzat
Kujtojmë që më 20 tetor, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i komunikoi akuzat:
“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
“Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
“Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.
“Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme).
Sipas njoftimit të SPAK-ut të publikuar më 9 shtator 2026, Balluku është marrë e pandehur për dyshime për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, në bashkëpunim, në tetë procedura prokurimi.
Vlera e përgjithshme e procedurave të përfshira në dosje kalon 600 milionë euro. Prokuroria dyshon se në këto tendera janë krijuar avantazhe të padrejta për operatorë ekonomikë të caktuar.
Në qershor 2026, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestrimin preventiv të një vile në Dhërmi. Sipas prokurorisë, ekzistojnë dyshime se pasuria mund të lidhet me përfitime të parregullta.
Në shtator, SPAK njoftoi një tjetër masë sekuestrimi për një pronë në Palasë, të cilën prokuroria dyshon se e lidh me përfitime të parregullta nga procedura e tenderimit për Lotin 7 të Unazës së Madhe.





