Apeli lë në fuqi dënimin prej 6 vjetësh burgim ndaj Hysri Selimit për spiunazh

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe të mbrojtjes së Hysri Selimit, duke lënë në fuqi dënimin prej 6 vjetësh burgim për veprën penale të spiunazhit.

Vendimi i Apelit është hartuar më 23 tetor 2026, ndërsa kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.55/2025, i datës 15.06.2026, është i drejtë. Për këtë ka raportuar “Betimi për Drejtësi”.

Të lidhura

None found

Hysri Selimi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 15 qershor 2026 me gjashtë vjet burgim për spiunazh.

Prokuroria Speciale kishte kërkuar ndryshimin e aktgjykimit, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe duke kundërshtuar vendimin për sanksionin penal. Ajo kishte propozuar që Selimit t’i shqiptohej një dënim më i lartë me burgim.

Në anën tjetër, avokati Ali Beka, mbrojtës i Selimit, kishte paraqitur ankesë për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje të Ligjit Penal dhe vendimit për sanksionin penal.

Mbrojtja kishte kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohej dhe Selimi të lirohej nga akuza, ose që çështja të kthehej në rigjykim. Beka kishte dorëzuar gjithashtu përgjigje ndaj ankesës së Prokurorisë Speciale.

Prokuroria e Apelit kishte propozuar që ankesa e Prokurorisë Speciale të aprovohej si e bazuar, ndërsa ankesa e mbrojtësit të Hysri Selimit të refuzohej si e pabazuar.

Seanca e kolegjit të Apelit, gjatë së cilës u shqyrtuan ankesat, ishte mbajtur më 7 tetor 2026.

Apeli ka konstatuar se aktgjykimi i ankimuar nuk përmban shkelje esenciale të procedurës penale që do të mund të sillnin anulimin e tij. Sipas shkallës së dytë, vendimi i Themelores është i qartë dhe nuk ka mospërputhje ndërmjet arsyetimit dhe dispozitivit.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktgjykimi është hartuar në përputhje me nenin 369 të Kodit të Procedurës Penale. Arsyetimi i dhënë nga gjykata e shkallës së parë, sipas Apelit, nuk bie ndesh me përmbajtjen e shkresave të lëndës dhe as me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Nga provat e shqyrtuara, sipas Apelit, rezulton se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë e kishte ndihmuar hetimin ndaj Selimit për veprën për të cilën ai ishte akuzuar.

Gjykata e Apelit ka arritur në përfundimin se gjatë gjykimit është dëshmuar që Selimi kishte komunikuar me zyrtarë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë, të njohur si BIA, dhe u kishte përcjellë informacione për aktivitetet e pjesëtarëve të UÇK-së, vrasjet gjatë luftës, personat e radikalizuar dhe pjesëmarrjen e tyre në luftën në Siri.

Sipas vendimit, Selimi ishte bërë pjesë e organizatës terroriste ISIS pasi kishte udhëtuar në Siri me një mision të caktuar nga BIA, që t’i informonte zyrtarët e saj për numrin e shqiptarëve pjesëmarrës në ISIS. Edhe pas vuajtjes së dënimit për pjesëmarrje në organizata terroriste, ai kishte vazhduar komunikimin me pjesëtarët e BIA-s dhe ishte takuar rregullisht me ta në territorin e Republikës së Serbisë.

Apeli ka theksuar se për këtë bashkëpunim Selimi ishte paguar deri në 700 euro në muaj dhe ishte pajisur me telefona të mençur nga BIA, të cilët i përdorte për komunikim me zyrtarët e saj.

Pretendimin e mbrojtjes se, pas kthimit nga Siria, Selimi kishte vepruar në koordinim me personat përgjegjës të AKI-së dhe se veprimet i kishte ndërmarrë sipas udhëzimeve të tyre, Apeli e ka cilësuar si të pabazuar në prova.

Në vendim thuhet se në shkresat e lëndës nuk ekziston asnjë dëshmi se Selimi ishte rekrutuar nga AKI. Sipas Apelit, hetimi ndaj tij kishte nisur pasi AKI e kishte raportuar në polici dhe kishte filluar vëzhgimi i tij, në kohën kur ai takohej dhe komunikonte me zyrtarët e BIA-s.

Gjykata ka vlerësuar se në deklaratën e dhënë në Prokurori, Selimi nuk kishte deklaruar në asnjë moment se kishte bashkëpunuar me AKI-në. Ai nuk kishte përmendur as ndonjë pseudonim të personit që kishte bashkëpunuar me AKI-në ose që ishte udhëzuar prej saj për të ndërmarrë veprimet inkriminuese.

Apeli ka bërë të ditur se Selimi kishte bashkëpunuar me Prokurorinë, duke pranuar bashkëpunimin e tij ndër vite me BIA-n serbe, veprimet e ndërmarra, pagesat e marra dhe duke shprehur pendim për ato veprime. Megjithatë, në deklarimet e tij ai nuk kishte thënë se ishte udhëzuar nga AKI për t’i kryer ato.

Sipas vendimit, vepra penale e spiunazhit, për të cilën Selimi është shpallur fajtor, nuk kërkon domosdoshmërisht përcjelljen e informatave të klasifikuara. Për përmbushjen e saj mjafton hyrja në shërbimin informativ të huaj, mbledhja e të dhënave ose ndihma në një formë tjetër ndaj këtij shërbimi.

Apeli ka vlerësuar se në rastin konkret elementet e spiunazhit janë përmbushur përmes hyrjes në shërbimin e huaj, ndarjes së informatave të kërkuara, veprimit sipas udhëzimeve të zyrtarëve të tij dhe ndihmës së dhënë për BIA-n.

Pretendimet e Prokurorisë Speciale për shqiptimin e një dënimi më të rëndë janë cilësuar të pabazuara nga Gjykata e Apelit.

Sipas vendimit, Gjykata Themelore kishte vlerësuar si rrethanë rënduese shkallën e lartë të dashjes për kryerjen e veprës. Selimi, me vetëdije të plotë për veprimet dhe pasojat e tyre, ishte futur në bashkëpunim me BIA-n me qëllim që ta ndihmonte përmes dhënies së informatave të ndryshme, sipas kërkesave të zyrtarëve të saj.

Apeli ka theksuar se hyrja në një shërbim informativ, e marrë në mënyrë të veçuar, paraqet vetëm dashje të thjeshtë. Por, në këtë rast, rëndësi ka pasur kohëzgjatja e bashkëpunimit, fakti se Selimi kishte pasur mundësi të pendohej dhe të tërhiqej nga aktiviteti, si dhe rasti kur ishte larguar në vitin 2012, por më pas ishte rikthyer.

Si rrethanë tjetër rënduese është vlerësuar edhe fakti se, me kërkesë të BIA-s, Selimi kishte marrë përsipër rrezikun për të udhëtuar në Siri dhe për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS. Këto rrethana, sipas Apelit, dëshmojnë për një shkallë të lartë të dashjes dhe përkushtimit për kryerjen e veprës penale.

Gjykata Themelore nuk kishte gjetur rrethana lehtësuese, ndonëse Selimi në procedurën paraprake kishte pranuar veprimet e kryera dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor kishte konfirmuar shumicën e fakteve që i ngarkoheshin.

Sipas arsyetimit të Apelit, Themelorja nuk e kishte konsideruar këtë qasje si pranim të fajësisë, shprehje pendimi apo keqardhjeje, pasi Selimi nuk e kishte pranuar fajësinë në mënyrë deklarative. Përkundrazi, gjykata kishte vlerësuar se ai kishte tentuar ta shmangte përgjegjësinë penale përmes pretendimeve të pabazuara gjatë deklarimeve të tij në fjalën hyrëse.

Megjithatë, Apeli ka konstatuar se Themelorja kishte gabuar kur e kishte marrë si rrethanë rënduese vetë elementin e veprës penale, përkatësisht hyrjen në shërbimin e huaj informativ, pasi ky veprim përbën një nga elementet e spiunazhit.

Si rrethana rënduese, kolegji i Apelit ka marrë kohëzgjatjen e bashkëpunimit, pranimin e pagesave dhe të telefonave të mençur për kryerjen e veprës, largimin dhe rikthimin e Selimit në këtë shërbim, si dhe pjesëmarrjen e tij në organizatën terroriste ISIS në funksion të bashkëpunimit me BIA-n.

Në të kundërtën, Apeli ka vlerësuar se si rrethanë lehtësuese duhet të merret deklarimi i Selimit në Prokurori, ku ai kishte pranuar të gjitha veprimet. Këto rrethana, sipas gjykatës, ai i kishte konfirmuar edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor në fjalën hyrëse. Edhe pse nuk kishte pranuar fajësinë dhe nuk kishte shprehur pendim apo keqardhje, deklarimi i tij kishte ndihmuar në zbardhjen e çështjes penale.

Lidhur me kërkesën e Prokurorisë për rritjen e dënimit, Apeli ka vlerësuar se Prokuroria nuk kishte identifikuar ndonjë rrethanë rënduese që Gjykata Themelore nuk e kishte marrë parasysh. Po ashtu, nuk ishte paraqitur ndonjë rrethanë tjetër rënduese ose veçanërisht rënduese që do të justifikonte një dënim më të lartë.

Sipas shkallës së dytë, Prokuroria kishte argumentuar në mënyrë të përgjithshme se vepra e kryer kishte rrezikuar rendin juridik dhe se Selimit duhej t’i jepej një dënim më i lartë. Për këtë arsye, Apeli e ka cilësuar këtë pretendim si të pabazuar.

Përgjigjja e mbrojtjes ndaj ankesës së Prokurorisë, sipas vlerësimit të Apelit, nuk përmbante ndonjë element që do të mund të ndikonte në vendimmarrjen e kolegjit.

Gjykata e Apelit ka përfunduar se dënimi prej gjashtë vjetësh burgim ndaj Hysri Selimit është në përputhje me veprën e kryer, rrethanat e konstatuara dhe përgjegjësinë penale të tij. Sipas saj, ky dënim përmbush qëllimin e ndëshkimit dhe do ta pengojë të akuzuarin të kryejë vepra penale në të ardhmen.

Po ashtu, Apeli ka vlerësuar se dënimi do të ketë edhe efekt parandalues të përgjithshëm, duke ndikuar që persona të tjerë të përmbahen nga kryerja e veprave penale.

Kolegji që mori vendimin përbëhej nga kryetarja Albina Shabani Rama dhe anëtarët Kreshnik Radoniqi e Avni Mehmeti.

Në seancën fillestare të mbajtur më 23 shtator 2025, Hysri Selimi ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngritur më 9 shtator 2025, Selimi akuzohej se nga nëntori i vitit 2009 deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025, si person i rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, kishte ndihmuar në vazhdimësi këtë shërbim.

Aktakuza e ngarkonte atë se kishte mbledhur dhe dërguar informacione për veprimtarinë e pjesëtarëve të UÇK-së, vrasjet gjatë luftës, personat e radikalizuar dhe numrin e pjesëmarrësve të tyre në luftën në Siri.

Sipas Prokurorisë, zyrtarët e BIA-s e kishin pajisur Selimin me telefona të mençur dhe mjete financiare, ndërsa i kishin premtuar edhe blerjen e një shtëpie. Në bazë të kërkesave dhe udhëzimeve të tyre, më 22 nëntor 2015 ai kishte udhëtuar në Siri përmes aeroportit të Stambollit, me një mision të caktuar nga BIA.

Aktakuza pretendonte se Selimi fillimisht ishte bashkuar me organizatën terroriste ISIS dhe më pas u kishte dërguar zyrtarëve të BIA-s të dhëna për numrin e shqiptarëve që merrnin pjesë në ISIS, organizimin e tyre dhe zonat e Sirisë ku vepronin.

Pas kthimit në Kosovë dhe vuajtjes së dënimit për pjesëmarrje në organizata terroriste, sipas aktakuzës, Selimi kishte vazhduar takimet me zyrtarë të BIA-s. Ndër ta ishte drejtori për luftimin e terrorizmit në kuadër të BIA-s dhe një zyrtar tjetër, me të cilët takohej në Vranje, Nish dhe Bujanoc.

Prokuroria kishte thënë se Selimi i informonte ata në bazë të detyrave të përcaktuara më herët. Informacionet lidhen me persona të radikalizuar, zhvillimin e rrymave vehabiste në Kosovë, ndikimin e tyre, numrin dhe funksionimin e “Mesxhide-ve”, hapësira fetare ku kryhen ritet fetare, si dhe të dhëna të tjera të rëndësishme.

Për këto informacione, sipas aktakuzës, zyrtarët e BIA-s e paguanin Selimin deri në 700 euro në muaj dhe i siguronin telefona të mençur për komunikim.

Prokuroria kishte pretenduar se përmes këtyre veprimeve Selimi kishte rrezikuar seriozisht dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës. Gjithashtu, sipas aktakuzës, ai kishte ndihmuar BIA-n serbe të krijonte një narrativë të dëmshme për shtetësinë e Kosovës.

Për këto veprime, Hysri Selimi ishte ngarkuar me veprën penale “Spiunazhi”, nga neni 124, paragrafi 3, lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.


Shtuar më 27.10.2026 11:45