Deputeti i Aleancës, Bekë Berisha, ka kërkuar largimin e menjëhershëm nga detyra të të gjithë zyrtarëve që përbëjnë zinxhirin institucional të përgjegjësisë për rastin në Pejë. Kërkesa e tij përfshin ministrin, drejtorin e Policisë, zyrtarët e hetimeve në Pejë dhe koordinatoren shtetërore.
Gjatë një deklarimi për gazetarët, Berisha tha se para miratimit të rezolutës duhet të merren masa konkrete institucionale dhe të përcaktohen përgjegjësitë përkatëse.
Të lidhura
None found
Ai u shpreh se ngjarja ka shkaktuar tronditje dhe shqetësim të madh, ndërsa insistoi që shkarkimet të kryhen pa vonesë për të gjithë personat që janë marrë me këtë rast. Sipas tij, përgjegjësia duhet të nisë nga ministri dhe drejtori i Policisë, të vijojë me zyrtarët e hetimeve në Pejë dhe të përfshijë çdo strukturë tjetër që ka lidhje me rastet e tilla.
“Jemi të tmerruar dhe të shqetësuar për atë që ka ndodhur. Fillimisht është dashur të ketë masa institucionale dhe shkarkime të menjëhershme për gjithë zinxhirin përgjegjës, përfshirë edhe koordinatoren shtetërore. Vetëm pas kësaj mund të votohet rezoluta. Kjo situatë kërkon përgjegjësi, sepse dita për të cilën është paralajmëruar se do të duhej të jepnim llogari tashmë ka ardhur. Prandaj, fillimisht duhet të ketë shkarkime dhe përgjegjësi të menjëhershme nga ministri, drejtori i Policisë, zyrtarët e hetimeve në Pejë dhe të gjithë të tjerët që lidhen me këto raste. Më pas mund të procedohet me rezolutën dhe me kërkesa të tjera. Për momentin, qëndrimi im është i qartë: është dashur të ketë shkarkime”, tha Berisha.




