Me kërkesë të presidentit Abdel Fattah al-Sisi, parlamenti i Egjiptit miratoi të hënën vendimin për t’i ofruar mbështetje ushtarake Arabisë Saudite, një hap që mund ta fusë drejtpërdrejt Kajron në përplasjen rajonale me rebelët Huthi të Jemenit.
Al-Sisi u kishte kërkuar deputetëve javën e kaluar që të autorizonin ndihmën për mbretërinë saudite, me synimin për t’iu përgjigjur sulmeve të forcave Huthi.
Të lidhura
None found
Një prej çështjeve që shqetëson më shumë Egjiptin lidhet me mbrojtjen e ngushticës Bab el-Mandab. Kjo rrugë detare strategjike bashkon Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe luan një rol të rëndësishëm për lundrimin drejt Kanalit të Suezit.
Kajroja, e konsideruar ndër fuqitë kryesore ushtarake të botës arabe, u rreshtua në mars të vitit 2015 përkrah koalicionit të drejtuar nga Arabia Saudite, në fillim të luftës në Jemen. Angazhimi egjiptian është përqendruar kryesisht te forcat detare, ndërsa vendi ka vendosur gjithashtu rreth 800 trupa tokësore, duke ruajtur një rol të kufizuar në operacionet luftarake.
Vendimi i ri mund të përfaqësojë një ndryshim të rëndësishëm në përfshirjen e Egjiptit në operacione ushtarake jashtë territorit të tij. Që prej Luftës së Gjirit të vitit 1991, vendi nuk ka dërguar trupa tokësore jashtë kufijve në përmasa të mëdha.
Ky zhvillim ndodh në një periudhë kur mbrojtja e linjave detare të komunikimit në rajon është kthyer në një shqetësim qendror. Përshkallëzimi i përplasjes me Huthit mund të ndikojë drejtpërdrejt tregtinë globale dhe transportin detar nëpër Detin e Kuq e Kanalin e Suezit.







