Protesta studentore hyn në ditën e 14-të, pedagogët konfirmojnë mbështetjen e tyre

Protesta e studentëve ka vijuar për të 14-ën ditë radhazi, ndërsa pedagogët kanë riafirmuar qëndrimin e tyre në mbështetje të kësaj lëvizjeje. Kreu i Sindikatës së Universiteteve, Aleksandër Kovaçi, tha se do të qëndrojnë pranë studentëve gjatë gjithë protestës.

Në një prononcim për News24, nga protesta para Ministrisë së Arsimit, Kovaçi u shpreh se bojkoti i mësimit është një zgjedhje vullnetare. Sipas tij, numri i studentëve në auditore nuk është i mjaftueshëm për zhvillimin normal të orëve mësimore.

Të lidhura

None found

“Bojkoti është vullnetar dhe nuk besoj se ka studentë mjaftueshëm nëpër salla për të zhvilluar mësim”, deklaroi ai.

Sipas Kovaçit, studentët tashmë kanë kaluar në një etapë të re, duke krijuar forume që do të shërbejnë për organizimin dhe koordinimin e mëtejshëm të protestës.

“Studentët tani janë në një fazë tjetër për t’u organizuar në forume. Ne jemi në mbështetjen e tyre për të ndihmuar se si mund të kalohet kjo situatë”, tha kreu i Sindikatës së Universiteteve.

Ai bëri të ditur gjithashtu se pedagogët nuk e zhvilluan takimin e parashikuar në orën 10:00, me qëllim që vëmendja të mos largohej nga protesta e studentëve.

“Ne nuk e kemi bërë takimin tonë në orën 10:00 që të mos shpërqendrohet vëmendja nga studentët”, u shpreh Kovaçi.

Pedagogët do të marrin pjesë çdo ditë në protestë, në përputhje me organizimin dhe thirrjet e studentëve. Kovaçi konfirmoi se ata do të jenë të pranishëm në orën 14:00.

“Do të jemi çdo ditë këtu në orën 14:00, sipas asaj që kanë thirrur studentët. Ne jemi aty ku do të jenë studentët”, përfundoi ai.


Shtuar më 26.10.2026 16:48