Gjykata Themelore në Pejë ka bërë të ditur se më 26 tetor ka pranuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë kundër Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, për veprën penale “Kanosja”.
Sipas përgjigjes së Gjykatës për “Betimi për Drejtësi”, aktakuza është pranuar më 26.10.2026, në orën 8:56, përmes sistemit SMIL. Dokumenti, me shenjën PP/II Nr.1340, është aktakuzë e drejtpërdrejtë ndaj personit me inicialet J.S., për veprën penale “Kanosje”, të përcaktuar në nenin 181, paragrafi 2 të KPRK-së.
Të lidhura
None found
Prokuroria ka njoftuar se aktakuza është ngritur më 23 tetor ndaj ish-bashkëshortit të viktimës, për kanosje brenda marrëdhënies familjare.
Institucioni gjyqësor ka sqaruar se, bazuar në të dhënat e disponueshme, nuk është evidentuar ndonjë procedurë tjetër penale ku Arlinda Zekaj, tashmë e ndjerë, të ketë qenë viktimë.
Të dhënat e nxjerra nga sistemi SMIL, sipas Gjykatës, nuk tregojnë se më herët është zhvilluar ndonjë rast penal me Zekajn si palë viktimë.
Ndërkohë, më 7 shtator të këtij viti, Arlinda Zekaj kishte kërkuar vendosjen e një urdhri mbrojtës emergjent, kërkesë të cilën Gjykata e kishte miratuar pjesërisht.
Gjykata sqaron se në atë fazë ishte refuzuar vetëm kërkesa lidhur me besimin e fëmijës. Pas shqyrtimit të mëtejshëm, më 16 tetor kërkesa e palës është miratuar në tërësi.
Sipas sqarimit zyrtar, më 07.09.2026, në orën 12:14, Arlinda Hasan Zekaj, përmes Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, kishte paraqitur kërkesë për urdhër mbrojtës emergjent kundër Jeton Sylajt. Po atë ditë, me aktvendimin C.nr.1300/26, Gjykata Themelore në Pejë e kishte aprovuar pjesërisht kërkesën, duke pranuar të gjitha masat mbrojtëse të kërkuara, përveç çështjes së besimit të fëmijës.
Pas kundërshtimeve të palëve dhe pranimit të raportit të QPS-së, ishte zhvilluar seanca gjyqësore. Me vendimin C.nr.1300/20, të datës 16.10.2026, urdhri emergjent ishte kthyer në urdhër të rregullt, ndërsa kërkesa e palës së mbrojtur ishte miratuar plotësisht, bashkë me të gjitha masat mbrojtëse, për një periudhë prej 6 muajsh.
Gjykata ka deklaruar se vendimi për kërkesën për urdhër mbrojtës emergjent dhe të rregullt u është dërguar menjëherë palëve në procedurë, si dhe institucioneve përgjegjëse për zbatimin e tij.






