Të mërkurën, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të organizohet një protestë kundër vrasjes së grave, me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.
Thirrja për protestë vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë. Përmes një njoftimi për media, organizatorët u kanë bërë apel qytetarëve të marrin pjesë dhe kanë kërkuar përgjegjësi nga institucionet.
Të lidhura
None found
Organizatorët shprehen se ky rast tregon neglizhencën institucionale ndaj kërkesave të grave për mbrojtje dhe siguri.
“Nuk mund të vazhdojmë të jetojmë një normalitet të sforcuar kur gratë po dhunohen, rrahen e edhe vriten para syve tanë”, thuhet në njoftim.
Sipas paralajmërimit, protestat dhe bllokimet e institucioneve do të vijojnë të mërkurën, të enjten, të premten dhe edhe në ditët pasuese.
Protestuesit do të mblidhen në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe prej aty do të marshojnë drejt Ministrisë së Drejtësisë. Në rrugën e përcaktuar janë përfshirë gjithashtu Këshilli Prokurorial, Këshilli Gjyqësor, Policia e Kosovës dhe Qeveria.
“Kërkojmë organizim e solidarizim kombëtar. Për siguri e liri për gratë e gjalla, e drejtësi për gratë e vrara. Na u bashkoni!”, thuhet në thirrjen e organizatorëve.




