AUV zbulon dhomë të paregjistruar në Vasilevë, asgjësohen 470 kilogramë mish dhe organe të brendshme

Gjatë javës së kaluar, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) zhvilloi një kontroll të jashtëzakonshëm në një kasap, subjekt juridik në Komunën e Vasilevës. Inspektorët zbuluan një dhomë në pronë private, e cila nuk figuron e regjistruar pranë AUV-së.

Veterinerët zyrtarë sekuestruan në këtë hapësirë 400 kilogramë produkte të ngrira mishi, përfshirë hamburgerë dhe qebapë, si dhe 70 kilogramë organe të brendshme, njoftoi Agjencia.

Të lidhura

None found

Sipas AUV-së, e gjithë sasia e konfiskuar u asgjësua në mënyrë të sigurt në një deponi, në përputhje me procedurat ligjore. Për shkak të shkeljeve të konstatuara, dhoma u mbyll përkohësisht, ndërsa ndaj subjektit juridik u vendos gjobë për funksionimin e një objekti të paregjistruar dhe për mungesën e etiketimit të produkteve.

Agjencia vlerëson se rasti dëshmon rëndësinë e inspektimeve të rregullta dhe të jashtëzakonshme, përmes të cilave kontrollohet puna e operatorëve ushqimorë, respektimi i detyrimeve ligjore dhe zbatimi i standardeve të sigurisë për ushqimet e prodhuara, të ruajtura dhe të vendosura në treg.

Nga janari deri në gusht të vitit 2026, shërbimet inspektuese të AUV-së realizuan gjithsej 74.838 kontrolle. Mbikëqyrja përfshiu sektorë të ndryshëm të zinxhirit ushqimor në tregun vendas, si dhe importet, me synim identifikimin dhe eliminimin në kohë të parregullsive dhe shmangien e qarkullimit të ushqimeve të pasigurta.

Gjatë së njëjtës periudhë, u asgjësuan 69.776 kilogramë ushqim i pasigurt nga tregtia vendase dhe importet. Gjithashtu, u ndalua hyrja e 21.105 kilogramëve ushqim të pasigurt me origjinë jo-shtazore, ndërsa ngarkesat që përmbanin gjithsej 122,602 kilogramë produkte ushqimore me origjinë shtazore u rikthyen në vendet e origjinës.

AUV bëri të ditur se do të vijojë kontrollet inspektuese të planifikuara dhe të jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, ndalimi i tregtimit të ushqimeve të pasigurta, zbatimi i rregullave dhe garantimi i të drejtave të konsumatorëve mbeten prioritetet kryesore të institucionit.


Shtuar më 26.10.2026 11:00

Tags: