LSDM-ja akuzoi sot qeverinë se, përmes ribalancimit të ri të buxhetit, Mickoski ka lënë sërish pas dore punëtorët, fermerët dhe qytetarët. Sipas partisë, nuk ka fonde për pagë minimale prej 600 eurosh, masa për mbrojtjen e standardit apo mbështetje për fermerët. “Në vend të tyre, qytetarët dhe brezat e ardhshëm do të përballen me borxhe të reja dhe interesa të larta”, thuhet në reagim.
Sipas LSDM-së, brenda dy vjetësh Mickoski i ka shtuar vendit 4 miliardë euro borxh të ri, shumë që përbën gjysmën e borxhit të përgjithshëm të akumuluar nga pavarësia deri më sot. Partia pretendon se këto para nuk shkojnë për qytetarët, por për tendera kriminalë.
Të lidhura
None found
“Hajduti i ka braktisur qytetarët”, deklaron LSDM-ja, duke shtuar se njerëzit janë lënë të përballen të vetëm me krizën për një vit të tërë, ndërsa Mickoski ka refuzuar masat e propozuara nga kjo parti.
Partia vëren se çmimet rriten çdo muaj, ndërkohë që pagat nuk mjaftojnë për të përballuar jetesën. Që nga janari, kostoja e jetesës është shtuar me 4,000 denarë, ndërsa shporta sindikale e tetorit ka kaluar 70,000 denarë. Me qiranë, shpenzimet arrijnë pothuajse 90,000 denarë, dhe as tri paga minimale nuk mjaftojnë për të mbuluar shportën bazë të konsumit.
“Punëtori e kalon gjithë muajin në punë, por sërish nuk mund t’i përballojë nevojat bazë të familjes”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Sipas të dhënave të paraqitura nga partia, rreth 180,000 punëtorë marrin më pak se 31,200 denarë pagë, ndërsa paga minimale vazhdon të jetë 26,000 denarë. LSDM-ja thotë se Mickoski nuk ka para për këta punëtorë.
“Po paralajmërohen sërish shtrenjtim i energjisë elektrike dhe i ngrohjes, ndërsa në Evropë po përgatiten plane për shkak të rrezikut të rritjes së çmimeve të ushqimeve”, përfundon reagimi i LSDM-së./Telegrafi/






