Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka planifikuar tërheqjen e 33 librave shkollorë, me synim përmirësimin e cilësisë së teksteve dhe përditësimin e programeve mësimore. Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, bëri të ditur se bëhet fjalë për libra të klasës së parë, të dytë, të katërt dhe të pestë, në gjuhën maqedonase, shqipe, turke dhe serbe.
Sipas Sulejmanit, nga përdorimi janë hequr tashmë edhe tekstet e klasës së pestë dhe të shtatë të arsimit fillor, si dhe dy libra për vitet e para të shkollimit të mesëm. Nxënësit, ndërkohë, janë pajisur me tekstet e reja.
Të lidhura
None found
Zëvendësministri theksoi se ndërhyrjet do të përfshijnë si rritjen e cilësisë së librave, ashtu edhe modernizimin e programeve që do të ndjekin nxënësit. Ai rikujtoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka tërhequr librat e klasës së pestë dhe të shtatë, si dhe tekstet për vitin e parë dhe të dytë të arsimit të mesëm. Librat e rinj për këto nivele tashmë u janë shpërndarë nxënësve dhe janë në përdorim.
Sulejmani shpjegoi se librat shkollorë përdoren për një periudhë pesëvjeçare. Pas përfundimit të këtij afati, tekstet shtypen sërish dhe kjo mundësi do të shfrytëzohet edhe për përditësimin e tyre, në mënyrë që nxënësit të marrin libra me cilësi më të lartë dhe me përmbajtje të modernizuar.
Për të gjitha këto tekste, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpallur konkursin përkatës. Librat e rinj nxënësit do t’i kenë në dispozicion gjatë vitit të ri shkollor 2027-2028. Vitin e ardhshëm pritet të shpallen edhe procedurat për rinovimin e teksteve të klasës së tretë dhe të gjashtë të arsimit fillor, si dhe të vitit të katërt të gjimnazit.
Sipas Driton Sulejmanit, ky proces do ta përmbyllë tërësisht reformën e arsimit fillor dhe të mesëm gjimnazial në drejtim të materialeve të reja mësimore, përkatësisht teksteve shkollore. /TVM2







