Pas disa muajsh hetime të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar arrestimin e një zyrtari të Kadastrës në Komunën e Prishtinës. Mediat e kanë identifikuar të arrestuarin si Nebi Alshiqi, ndërsa në njoftimin zyrtar të Prokurorisë ai figuron vetëm me inicialet N.A.
Të lidhura
None found
Për Alshiqin është vendosur ndalimi prej 48 orësh, pasi dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje ryshfeti dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.
Në bazë të të dhënave të para të hetimit, dyshohet se persona të paautorizuar kanë marrë informacione zyrtare për prona të caktuara, kundrejt dhënies së ryshfetit.
Organi i akuzës dyshon se këto veprime synonin tjetërsimin e pronave, të cilat besohet se kanë vlerë shumë të madhe.
Prokuroria e lidh të dyshuarin me bashkëpunimin me persona të tjerë në kryerjen e tri veprave penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë ka kryer arrestimin e tij.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, puna hetimore do të vijojë për të sqaruar tërësisht rastin dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme penale.
Deri në vërtetimin e fajësisë me një vendim gjyqësor të formës së prerë, i dyshuari gëzon prezumimin e pafajësisë.





