Regjistrimet e thirrjeve të urgjencës të bëra pas përpjekjes së dështuar për të ekzekutuar Krista Pike, 50-vjeçaren e dënuar me vdekje në Tenesi të SHBA-së, kanë nxjerrë në pah një ngatërresë mes autoriteteve të burgut dhe shërbimeve të emergjencës, e cila e vonoi ndërhyrjen mjekësore pasi gruaja i mbijetoi edhe dy dozave të lëndës vdekjeprurëse.
Të lidhura
None found
Sipas materialeve audio që siguroi Associated Press, thirrja e parë drejt numrit 911 u krye më 30 shtator, në orën 20:40, pra më shumë se një orë pasi kishte nisur ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës. Mirëpo, thirrësi nuk arriti të jepte kodin e kërkuar të verifikimit, çka i shtyu autoritetet ta dyshonin se bëhej fjalë për një alarm të rremë.
Në orën 21:03, një dispeçer njoftoi se Departamenti i Komunikimeve të Emergjencave e kishte cilësuar thirrjen si të rreme dhe se për burgun Riverbend nuk nevojitej asistencë mjekësore.
Vetëm në orën 21:11 autoritetet e burgut e konfirmuan se incidenti kishte ndodhur vërtet dhe i lejuan ekipet e shpëtimit të futeshin në kompleksin me siguri të lartë. Ambulanca dhe mjetet e zjarrfikëses arritën te ndërtesa ku ndodhej Pike rreth orës 21:14.
Dënimi me vdekje i ishte dhënë Krista Pike për vrasjen e shoqes së saj të klasës, Colleen Schlemmer, në vitin 1995. Në atë kohë, ajo ishte vetëm 18 vjeçe.
Në Tenesi, protokolli i ekzekutimit e parashikon dhënien e një doze të dytë pentobarbitali nëse doza e parë nuk i shkakton vdekjen të dënuarit. Megjithatë, rregullat nuk e përcaktojnë shprehimisht se si duhet vepruar kur personi u mbijeton të dyja dozave.
Të dhënat e publikuara tregojnë se pas injeksioneve Pike mbeti pa ndjenja dhe frymëmarrja e saj nuk ishte normale. Ajo u çua në spital dhe aty qëndroi disa ditë e intubuar.
Gjendja e saj ishte aq e rëndë sa avokatët u shqetësuan se ajo mund të mos mbijetonte. Megjithatë, 50-vjeçarja erdhi në vete, filloi të fliste me vështirësi dhe ia doli të ecte me ndihmë. Pas kësaj, ajo doli nga spitali dhe u kthye në burgun e grave, ku kishte kaluar rreth 30 vjet e dënimit.
Ngatërresa për atë që po ndodhte u shfaq edhe në telefonatat e tjera për ndihmë mjekësore.
Në orën 21:08, avokatja e Pike, Kelly Gleason, i telefonoi shërbimet e emergjencës për të bërë me dije se ekzekutimi kishte përfunduar sipas protokollit, por klientja e saj ende jetonte dhe kishte nevojë për kujdes të menjëhershëm mjekësor.
Ajo nënvizoi se, sipas të dhënave më të fundit nga avokati që ndodhej aty gjatë procedurës, Pike vijonte të merrte frymë dhe se ndihma mjekësore ishte e domosdoshme për t’i shpëtuar jetën.
Pasiguria nuk u ndal as pas hyrjes së ekipeve të shpëtimit në burg. Në një komunikim me radio, një punonjës kërkoi që administrata e burgut të vihej në dijeni për spitalin ku po dërgohej e burgosura, duke shprehur shqetësim për ngatërresën që kishte shoqëruar gjithë ngjarjen.
Departamenti i Korrektimeve në Tenesi ende nuk ka dhënë një shpjegim të plotë për dështimin e ekzekutimit. Ndërkaq, guvernatori Bill Lee ka urdhëruar që ekzekutimet e mëpasshme të pezullohen derisa të mbyllet hetimi.
Nuk dihet ende nëse autoritetet do të përpiqen sërish ta ekzekutojnë Pike.
Mjekët ekspertë kanë hedhur disa hipoteza për mbijetesën e saj, përfshirë mundësinë e problemeve me cilësinë e lëndës së përdorur ose vendosjen e gabuar të kateterëve intravenozë, çka mund të ketë penguar kalimin normal të barit në qarkullimin e gjakut.
Para se të niste ekzekutimi, avokatët e Pike kishin paralajmëruar gjykatat dhe administratën e burgut se ajo vuante nga një çrregullim gjaku që mund të sillte formimin e mpiksjeve në pikat e injektimit.
Publikimi i regjistrimeve të thirrjeve ka shtuar pikëpyetjet për mënyrën si u menaxhua situata dhe për përgjegjësinë e autoriteteve në vonesën e dhënies së ndihmës mjekësore.





