Dita e 135-të e protestës kundër Ramës, qytetarët vijojnë qëndresën, kërkohet largimi i qeverisë

Protesta qytetare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, shënon sot ditën e 135-të radhazi. Pas më shumë se katër muajsh tubimesh, qytetarët pritet të mblidhen sërish në sheshin “Skënderbej” dhe të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të përsërisin kërkesat për largimin e qeverisë.

Protesta e së dielës, në ditën e saj të 134-t, u zhvillua pavarësisht reshjeve të shiut. Qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku mbajtën fjalime dhe përcollën mesazhet e tyre kundër qeverisë.

Të lidhura

None found

Gjatë tubimit, protestuesit brohoritën thirrje si “Rama jep dorëheqjen”, “Poshtë qeveria” dhe “Shqipëria po bën revolucion”. Pas përfundimit të fjalimeve përpara Kryeministrisë, ata vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit.

Në përfundim, pjesëmarrësit deklaruan se do ta vazhdojnë qëndresën edhe në ditët në vijim.

Dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë së tij mbetet kërkesa kryesore e protestuesve. Gjatë tubimeve të deritanishme, qytetarët kanë kërkuar gjithashtu krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime në sistemin politik.


Shtuar më 12.10.2026 07:41