Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po shqyrton seriozisht mundësinë e shkarkimit të Kimberly Guilfoyle nga detyra e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Greqi. Ky vlerësim vjen pas një serie publikimesh që e lidhin atë me veprime të dyshimta dhe përfitime të paligjshme gjatë kohës që mban këtë post.
Të lidhura
None found
Një burim i afërt me këtë çështje konfirmoi për CNN se presidenti Trump po ndjek me vëmendje zhvillimet rreth Guilfoyle, e cila më parë ka qenë në një lidhje katërvjeçare të fejesës me djalin e tij të madh, Donald Trump Jr.
Sipas informacioneve të publikuara, Guilfoyle dyshohet se ka marrë dhurata me vlerë të lartë ndërsa shërbente si ambasadore. Gjithashtu, ajo akuzohet se ka kërkuar shuma parash për të ndërmjetësuar kontakte me përfaqësues të administratës amerikane, në një periudhë kur ende nuk ishte konfirmuar zyrtarisht në post.
Këto raportime kanë ngjallur shqetësim të konsiderueshëm në nivelet e larta të administratës Trump. Situata u bë edhe më delikate për shkak se akuzat dolën në dritë pikërisht kur sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjendej në Athinë për një fjalim të rëndësishëm mbi demokracinë perëndimore, të mbajtur në Akropol.
Brenda administratës pritet që presidenti Trump të japë një vendim përfundimtar në ditët në vijim lidhur me fatin e Guilfoyle në këtë detyrë diplomatike.
Gjatë një pyetjeje nga CNN të premten në lidhje me këto akuza, Trump nuk shprehu mbështetje të plotë për ambasadoren. “E mora vesh tani. Është për të ardhur keq. Nuk e di. Kam dëgjuar diçka të shkurtër për këtë. Nuk jam shumë i informuar, por ajo ka qenë gjithmonë shumë e sjellshme,” u shpreh presidenti.
Shtëpia e Bardhë ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar për këto pretendime.
Një nga akuzat më të rënda vjen nga Eric Deters, një ish-donator i fushatës së Trump. Deters pretendon se Guilfoyle i ka dërguar një mesazh duke i kërkuar 100 mijë dollarë për të shlyer një borxh të kartës American Express, vetëm disa ditë para se Senati ta konfirmonte atë në postin e ambasadores.
Sipas Deters, ai nuk e kreu transferimin e parave, pasi në atë moment nuk kishte likuiditet të mjaftueshëm financiar. Wall Street Journal ishte e para që publikoi historinë e mesazheve, ndërsa avokati i Guilfoyle ka deklaruar se ajo nuk i njeh si autentike ato dokumente. Po ashtu, burimet bëjnë me dije se Guilfoyle u ka mohuar zyrtarëve të administratës javën e kaluar se ka dërguar mesazhe të tilla.
Guilfoyle ka mbajtur gjithmonë lidhje të ngushta me familjen Trump. Pas ndarjes nga Donald Trump Jr., ajo u propozua për postin e ambasadores në Greqi. Aleatë të presidentit dhe të djalit të tij e kanë përshkruar situatën si “të turpshme” në biseda me CNN, por ende nuk dihet nëse kjo do të sjellë masa konkrete ndaj saj.
Presidenti Trump ka theksuar vazhdimisht se nuk toleron raste kur njerëz të afërt me të përpiqen të përfitojnë materialisht nga kjo marrëdhënie.
Ndërkohë, nënpresidenti JD Vance mbajti një qëndrim më të kujdesshëm kur u pyet të premten nëse Guilfoyle duhet të mbajë përgjegjësi. Ai tha se nuk dëshiron të “gjykojë njerëzit në gjykatën e opinionit publik” dhe se fillimisht duhet vërtetuar se çfarë ka ndodhur realisht.
Megjithatë, Vance pranoi se në përgjithësi e shqetëson dukuria e individëve që kërkojnë pagesa për të siguruar akses te zyrtarët qeveritarë. “Natyrisht që nuk më pëlqen që dikush të tregtojë aksesin te një zyrtar tjetër shtetëror, sidomos te një zyrtar i rangut të lartë,” deklaroi ai, duke shtuar se duhet pritur për të parë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, dhe nëse provohet se ka pasur shkelje, atëherë duhet të ketë pasoja.







