Kamëz/ Arrestohet 29-vjeçari që dyshohet se transportonte a*më me qëllim për trafikim

Një 29-vjeçar është vënë në pranga në Kamëz, pasi dyshohet se po transportonte me automjet një pistoletë me qëllim trafikimin e saj. Krahas hetimit penal, ndaj tij ka nisur edhe procedura për verifikimin e pasurisë.

Operacioni i koduar “LAST DRIVE II” u zhvillua nga Forca e Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme. Ndërhyrja erdhi pas informacioneve operative për një person që lëvizte i armatosur me automjet.

Të lidhura

None found

I arrestuari është shtetasi E. C., 29 vjeç, banues në Krujë dhe i dënuar më parë për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Gjatë kontrollit të automjetit që ai drejtonte, policia gjeti një pistoletë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe automjeti dhe një celular.

Kontrolli i ushtruar në banesën e 29-vjeçarit çoi në zbulimin e një arme gjahu pa leje dhe 50 fishekëve. Gjithashtu, efektivët sekuestruan një bllok shënimesh, ku dyshohet se ishin regjistruar të dhëna për shuma të ndryshme parash.

Për shkak të dyshimeve të ngritura, ndaj tij vijon edhe hetimi pasuror.

Materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” dhe “Fshehja e të ardhurave”.


Shtuar më 11.10.2026 12:08