Mark Viduka lindi më 9 tetor 1975 në Melbourne të Australisë. Ish-sulmuesi profesionist u bë i njohur për paraqitjet në Ligën Premier dhe për rolin e tij me kombëtaren australiane. Ai kishte prejardhje kroate, pasi babai i tij, Joe, emigroi nga Kroacia drejt Australisë gjatë viteve ’60.
Të lidhura
None found
Hapat e parë në futboll i hodhi te Melbourne Croatia, klub që më vonë mori emrin Melbourne Knights. Viduka iu bashkua skuadrës që në moshën gjashtëvjeçare dhe, gjatë periudhës si futbollist i rritur, fitoi dy herë Medaljen Johnny Warren, çmim që i jepej lojtarit më të mirë të ligës.
Kur ishte 19 vjeç, ai u transferua te Dinamo, e cila në atë kohë njihej si Croatia Zagreb. Kalimi ndodhi në një periudhë të tensionuar politikisht në Kroaci, kur klubi i Zagrebit drejtohej nga Zlatko Canjuga dhe Franjo Tuxhman.
Me Dinamon qëndroi për tre sezone e gjysmë, duke fituar tri herë titullin dhe kupën vendase. Në 84 paraqitje me klubin ai realizoi 40 gola. Viduka kishte debutuar me Australinë një vit përpara transferimit te Dinamo, ndaj nuk pati mundësi të luante për përfaqësuesen kroate.
Lojtari më i mirë në ligën skoceze
Pas aventurës së suksesshme në Kroaci, sulmuesi vijoi karrierën te Celtic, Leeds United, Middlesbrough dhe Newcastle United. Në vitin 2000, me Celticun fitoi Kupën e Ligës dhe u shpall “Lojtari i Vitit” në ligë.
Periudhën më të suksesshme e pati te Leeds United, ku shënoi 59 gola në 130 ndeshje dhe u konsolidua si një prej sulmuesve më të spikatur të Ligës Premier. Në total, gjatë karrierës së tij në kampionatin anglez realizoi 92 gola në 240 paraqitje.
Viduka mbajti edhe shiritin e kapitenit të Australisë dhe udhëhoqi skuadrën në Kupën e Botës 2006. Nën drejtimin e tij, Australia regjistroi arritjen historike të kualifikimit në raundin e 16-të. Për kombëtaren ai luajti 43 ndeshje dhe shënoi 21 gola.
Pas largimit nga futbolli profesionist në vitin 2009, Viduka zgjodhi të vendosej në Zagreb, ku sot drejton një kafene. Megjithëse gjatë karrierës ishte shpesh në qendër të vëmendjes mediatike, tashmë bën një jetë të qetë dhe herë pas here udhëton për të takuar familjen në Australi.





