E ftuar në emisionin “Live me Luizin”, këngëtarja Albërie Hadërgjonaj foli për ndikimin që divorci pati në jetën e saj dhe për raportin që ruan sot me ish-bashkëshortin.
Të lidhura
None found
Ajo tregoi se vitet e para pas ndarjes e kishte urryer, pasi mendonte se ai i kishte marrë disa vite nga jeta. Megjithatë, me kalimin e kohës, marrëdhënia mes tyre ka ndryshuar dhe sot ata janë miq të mirë.
“Sot jemi miq shumë të mirë”, u shpreh Albëria. Luizi e pyeti nëse takohen në raste të veçanta, si ditëlindjet e vajzave apo të mbesave, ndërsa këngëtarja u përgjigj se kjo ndodh patjetër.
“Ai është flori, është djalë shumë i mirë”, tha ajo për ish-bashkëshortin. E pyetur nëse ai ka menduar të rikthehet, Albëria u shpreh se nuk e di, por shtoi se ai duket shumë miqësor.
Luizi i kujtoi se për shumë vite ajo nuk kishte dashur as ta shihte dhe se ndaj tij kishte krijuar edhe urrejtje. Në përgjigje, këngëtarja pranoi se e kishte urryer për një kohë të gjatë, sepse besonte se i kishte humbur vite nga jeta e saj.
Albërie Hadërgjonaj theksoi se çdo vajzë duhet të ketë kontrollin e jetës së vet dhe të mos lejojë që vendimet për të t’i marrin nëna, babai, vëllai, tezja, halla apo dikush tjetër. Sipas saj, secili duhet të zgjedhë atë që e bën të ndihet mirë, pavarësisht komenteve të njerëzve.
“Unë sot jam si pasha, njerëzit le të flasin”, deklaroi ajo.
Gjatë bisedës, Luizi e pyeti nëse ka menduar të gjejë sërish dashurinë apo një partner. Albëria solli në vëmendje një shprehje të gjyshit të saj: “Për grua, burrë dhe autobus, kurrë mos prit, se ka boll.”
Ajo shtoi se Zoti e ka krijuar njeriun për të pasur një partner jete dhe se edhe në moshë të madhe njeriu mbetet i ri, me nevoja biologjike dhe kërkesa të tjera.





