Kosovë-SHBA, krijohet grupi i përbashkët për bashkëpunim në energji

Ministria e Ekonomisë priti mbledhjen inauguruese të Grupit Punues për Bashkëpunim në Fushën e Energjisë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pjesë e këtij mekanizmi janë përfaqësues politikë dhe teknikë nga Ministria e Ekonomisë, KEK-u dhe KOSTT-i, së bashku me përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të lidhura

None found

Objektivi i grupit është avancimi i bashkëpunimit në drejtim të sigurisë energjetike dhe sigurimit të energjisë me kosto të përballueshme. Nëpërmjet ndarjes së të dhënave dhe përvojës profesionale, palët do të analizojnë alternativa që përputhen me interesat e përbashkëta dhe me kërkesat e sektorit energjetik të Kosovës.

Formimi i këtij grupi vjen si pjesë e partneritetit të konsoliduar Kosovë-SHBA në fushën e energjisë. Ky bashkëpunim ka përfshirë themelimin e bursës shqiptare të energjisë elektrike ALPEX, hartimin e Strategjisë së Energjisë, organizimin e ankandit të parë solar dhe investimin në bateri për ruajtjen e energjisë përmes Programit Kompakt me MCC-në, ndër iniciativa të tjera.

Gjatë takimit, të dyja palët konfirmuan vullnetin për ta thelluar partneritetin dhe për të gjetur forma konkrete bashkëpunimi, me synim ndërtimin e një sistemi energjetik më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.


Shtuar më 9.10.2026 16:26