Sistemi “Qyteti i Sigurt” nis të hënën në Ohër, Strugë, Kërçovë dhe Dibër

Prej të hënës, më 12 tetor, kamerat e sistemit të mbikëqyrjes së trafikut “Qyteti i Sigurt” do të aktivizohen në rajonin që mbulon SPB-ja e Ohrit, duke përfshirë qytetet Ohër, Strugë, Kërçovë dhe Dibër.

Të lidhura

None found

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se vendosja në funksion e sistemit vjen pas përfundimit të kontrolleve teknike dhe testimeve të fundit në rrugët e këtij rajoni.

Aktivizimi i “Qytetit të Sigurt” në territorin e SPB-së Ohër ishte bërë i ditur javën e kaluar nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, gjatë vizitës së tij në SPB-në Ohër dhe në Qendrën Rajonale Perëndim.

Sipas MPB-së, sistemi do të sigurojë monitorim më të madh dhe të pandërprerë të trafikut, evidentim më të shpejtë të shkeljeve, forcim të disiplinës në komunikacion dhe rritje të sigurisë në rrugë.

Ministria u kërkon drejtuesve të automjeteve të zbatojnë me rigorozitet rregullat dhe dispozitat e trafikut, si dhe të tregojnë përgjegjshmëri për të ndihmuar në përmirësimin e sigurisë në komunikacion.

Gjatë qëndrimit në Ohër, ministri Toshkovski deklaroi se këtë vit, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i personave të lënduar në aksidente trafiku ka rënë me 20 për qind, ndërsa janë shënuar 34 viktima më pak.


Shtuar më 9.10.2026 16:22