Operatorët turistikë në Ohër dhe Strugë raportojnë një rënie të ndjeshme të grupeve të organizuara, të cilat për më shumë se dhjetë vjet vizitonin këto qytete nga maji deri në tetor. Sipas tyre, mungesa e turistëve të sjellë përmes paketave të organizuara po ndikon në të gjithë sektorin.
Të lidhura
None found
Jakim Malenko, punonjës turistik, thotë se nga 4-5 operatorë që organizonin fluturime çarter drejt Ohrit, aktualisht ka mbetur vetëm një. “Humbëm operatorët e mëdhenj turistikë, që vinin me çarter me turistë që vinin direkt për 7 dhe 14 ditë, në kapacitete akomodimi në hotel dhe disa në kapacitete akomodimi privat. Humbëm polakët, holandezët nuk po vijnë”, u shpreh Malenko.
Punonjësit e sektorit e konsiderojnë këtë sezon ndër më të dobëtit deri tani. Përveç tërheqjes së disa operatorëve të huaj, ata përmendin si faktorë ndikues konkurrencën rajonale, çmimet e ulëta të fluturimeve drejt destinacioneve të ndryshme evropiane dhe zhvillimet globale.
Sipas Malenkos, Ohri po tërheq kryesisht vizitorë individualë, të cilët e përdorin qytetin si pikënisje për të eksploruar edhe vende të tjera. “Ata shumë shpesh e përdorin këtë destinacion, qytetin tonë, si një trampolinë për të bërë një rreth më të madh, dhe për të përfituar dhe për të parë sa më shumë që të jetë e mundur. Duhet të mendojmë me kujdes se si t’i rikthejmë ato çarter, që i kishim menduar vetëm për turistët dhe transportin e organizuar të mysafirëve”, theksoi ai.
Gushti shënoi periudhën më të favorshme, kur kërkesa për hapësira akomoduese ishte më e lartë. Ndërkohë, gjatë fillimit të sezonit, në qershor dhe korrik, hotelet kishin një nivel minimal të mbushjes prej 40 për qind./Alsat/






