Deputetja socialiste Elisa Spiropali foli në Kuvend përpara votimit të pritshëm të reformës së re territoriale, duke shprehur rezerva për funksionimin e institucioneve, decentralizimin dhe sistemin zgjedhor. Ajo paralajmëroi se do të votojë kundër.
“Me shumë keqardhje po flas, pasi shoh se teatri vazhdon jo vetëm në këtë Parlament, por edhe jashtë tij, ku njerëzit protestojnë. Më gjerësisht, na mungojnë kohezioni dhe besimi te institucionet, partitë, ne që jemi këtu, kontrata sociale dhe shtyllat e shtetit. Së bashku kemi zhdukur hapësirat normale të komunikimit e të besimit, si dhe mënyrat e ushtrimit dhe administrimit të pushtetit e politikës. Po ia nis nga vetja, sepse mendoj se secili duhet të bëjë të njëjtën gjë”, u shpreh ajo.
Të lidhura
None found
Sipas Spiropalit, diskutimi nuk duhet të përqendrohet te numri i bashkive, por te kompetencat që ato duhet të kenë. “Duhet ta themi hapur: ajo që po bëjmë sot nuk është reformë territoriale. Nuk është çështja sa bashki kemi, por sa pushtet u takon atyre. A mund të ketë reformë territoriale pa decentralizim të vërtetë? Ndryshimi i hartës është i lehtë. Por a mund ta konceptojmë bashkë mënyrën e ushtrimit të pushtetit dhe të bëjmë që qytetarët të jenë më pranë vendimmarrjes?”, tha deputetja.
Ajo argumentoi se decentralizimi duhet të shoqërohet me autonomi dhe përgjegjësi në të gjitha nivelet e qeverisjes. “Nuk është vetëm çështje e pushtetit vendor. Nëse duam që bashkitë të mbajnë më shumë përgjegjësi, duhet të flasim edhe për autonominë e institucioneve. Përgjegjshmëri më e madhe duhet kërkuar edhe nga kryetarët e bashkive, edhe nga çdo nivel tjetër i qeverisjes. Nuk mund të diskutojmë për ndarjen e pushtetit në territor pa trajtuar përqendrimin e tij”, u shpreh ajo.
Spiropali tha se kryetarët e bashkive nuk duhen trajtuar si vartës apo përdorur si prefektë dhe përfaqësues të partisë në pushtet. “Jam pjesë e kësaj shumice, por duhet t’u japim kompetenca dhe peshën që u takon, sepse ata përfaqësojnë të gjithë. Nuk mund t’i thërrasim në takime e t’i trajtojmë si vartës”, theksoi ajo.
Deputetja kritikoi edhe deklaratat për fitimin e të gjitha bashkive. “Më vjen keq kur dëgjoj kolegë që flasin sot në mënyrë të papërshtatshme e me tone të tilla: ‘Do t’i mundim të gjithë, do t’i fitojmë të gjitha bashkitë’. Jo, nuk është normale të synosh fitoren në çdo bashki. Institucionet tona duhet të jenë më të forta se njerëzit që i drejtojnë”, tha Spiropali.
Ajo kërkoi reformim edhe të sistemit zgjedhor, duke kritikuar listat “treçerek të mbyllura, çerek të hapura”. “Nuk bëhet fjalë për deputetë të bindur, por për deputetë të përgjegjshëm. Qytetari duhet ta dijë se për kë voton. Ne nuk jemi kartona dhe as njerëz pa përgjegjësi. Mënyra si na drejtoheni është revoltuese; revolta jonë duhet të shfaqet edhe brenda nesh”, deklaroi ajo.
“Ju silleni sikur përfaqësoni qytetarët, por kryetari ju thotë çfarë të bëni dhe ju e bëni. Sa pavarësi e madhe!”, shtoi Spiropali.
Në përfundim, ajo tha se nevoja për reformë nuk duhet të vijë vetëm nga kundërshtarët politikë, por edhe nga brenda partive. “Duhet ta meritojmë fitoren dhe të kemi guximin të reformojmë partitë e bashkitë tona, duke zgjedhur njerëzit më të mirë përmes proceseve të brendshme partiake. Qëndrimi im nuk ka qenë personal. Në këtë pikë keni shumë për të bërë”, tha Spiropali.






