Akademia e Shkencave e Shqipërisë i ka përcjellë urimet akademikes Justina Shiroka-Pula, pas zgjedhjes së saj presidente të Republikës së Kosovës.
Të lidhura
None found
Sipas Akademisë, marrja e kësaj detyre ndodh në një periudhë kur Kosova ka nevojë për stabilitet institucional, bashkëpunim dhe përkrahje të plotë në rrugën e integrimit euroatlantik.
Institucioni shqiptar ka nënvizuar gjithashtu bashkëpunimin me Shiroka-Pulën gjatë drejtimit të saj të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), duke theksuar se në këtë periudhë u forcuan marrëdhëniet strategjike mes dy akademive.
“Mes dy institucioneve tona janë duke u realizuar shumë projekte dhe iniciativa të përbashkëta”, thuhet në urimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Gjatë drejtimit të Shiroka-Pulës, ASHAK ka synuar rritjen e rolit të kërkimit shkencor dhe të kërkuesve në jetën e vendit, si edhe zgjerimin e lidhjeve me komunitetin akademik mbarëshqiptar dhe atë ndërkombëtar, vlerëson Akademia.
“Zgjedhja e saj përbën një vlerësim dhe një ngjarje me rëndësi për komunitetin akademik shqiptar, i cili ka qenë dhe vijon të jetë një pasuri intelektuale në shërbim të zhvillimit të vendeve tona”, thuhet më tej.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka çmuar përvojën dhe vizionin e Shiroka-Pulës, duke shprehur besimin se këto cilësi do ta ndihmojnë në përmbushjen e përgjegjësive si presidente e Kosovës.
Në përfundim, akademikja është uruar për sukses në detyrën e re, ndërsa është shprehur bindja se bashkëpunimi mes institucioneve akademike të Shqipërisë dhe Kosovës do të thellohet më tej.



