Elena Maraga, 30 vjeç, ka njoftuar se synon të rikthehet në mësimdhënie, rreth një vit pasi u largua nga puna në një kopsht privat katolik në provincën e Trevizos. Ajo ka theksuar se dëshiron ta vazhdojë njëkohësisht edhe aktivitetin e saj si krijuese përmbajtjesh në OnlyFans.
Të lidhura
None found
Përmes rrjeteve sociale, ish-mësuesja tha se periudha e pushimit e ndihmoi të kuptonte se profesioni i saj nuk mund të lihej pas. Sipas saj, dëshira për t’u rikthyer në shkollë mbetet e fortë, pavarësisht punës së saj të dytë.
Historia e Maragës u bë publike rreth një vit më parë, kur drejtoria e kopshtit katolik vendosi ta largonte pasi u zbulua aktiviteti i saj në OnlyFans. Fotot private ishin marrë dhe shpërndarë pa autorizim, duke bërë që rasti të merrte vëmendje të gjerë në Itali.
Në një intervistë për “Le Iene”, ajo tregoi se gjithçka kishte nisur pasi një baba ishte abonuar në kanalin e saj, kishte shkarkuar fotografitë dhe i kishte shpërndarë ilegalisht në një grup me miqtë e tij të futbollit. Sipas rrëfimit të saj, situata u zbulua nga partnerja e këtij personi dhe më pas çështja u bë publike.
Edhe pse në mbështetje të saj u organizua një peticion, ku u përfshinë disa prindër të fëmijëve që ajo kishte mësuar, institucioni vendosi përfundimisht ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Maraga ka deklaruar gjithashtu se ka bërë kallëzim për shpifje dhe shkelje të të drejtave të autorit ndaj personave që, sipas saj, shpërndanë pa leje materialet private.
Rasti solli reagime të ndryshme në Itali. Një pjesë e opinionit e mbështeti të drejtën e saj për të pasur një profesion të dytë, ndërsa të tjerë kritikuan përmbajtjen e publikuar në OnlyFans. Vëmendja mediatike ndikoi në rritjen e të ardhurave të saj në platformë, ku, siç deklaroi për “Mattino Cinque News”, fitoi rreth 40 mijë euro vetëm gjatë një muaji.
“Nuk ndihem në turp për atë që bëj, por kjo nuk është thjesht një lojë. Falë famës së krijuar nga rasti im, muajin e fundit fitova rreth 40 mijë euro, megjithëse kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë”, ishte shprehur ajo.
Disa muaj pas largimit, Elena Maraga arriti një marrëveshje me shkollën për përfundimin e marrëdhënies së punës. Tani, një vit pas largimit nga klasa, ajo kërkon të rikthehet pranë nxënësve, pa hequr dorë nga aktiviteti për të rritur./TAR
