Gjatë emisionit “Now” të moderuar nga Erla Mëhilli në Euronews Albania, kryetari i Bashkisë së Divjakës, Josif Gorrea, kundërshtoi reformën territoriale dhe i kërkoi publikisht kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, të mos votojë pro saj.
Gorrea shprehu shqetësimin se shërbime të rëndësishme, mes tyre urbanistika dhe gjendja civile, po zhvendosen drejt Lushnjës. Mazniku mbrojti nismën, duke deklaruar se ajo do të jetë në të mirë të qytetarëve dhe se pas katër vitesh do të provohet se vendimi ka qenë i drejtë.
Të lidhura
None found
Gorrea: Maznik, mos e voto reformën territoriale!
Mazniku: Pas katër-pesë vitesh do të takohemi sërish dhe do të pranosh se ke gabuar.
Gorrea: Njerëzit më kanë dhënë besimin dhe vazhdojnë të më besojnë.
Mazniku: Pikërisht për këtë arsye të ka besuar edhe Partia Socialiste. Nuk është problem nëse kemi qëndrime të ndryshme apo nuk arrijmë të biem dakord; kjo është krejt normale. Ti e di shumë mirë se unë nuk kam asnjë interes në Divjakë, zero. Jam gjithashtu i bindur se këtë debat po e zhvillon sinqerisht, nisur nga ajo që ti beson se është më e mira për qytetarët, ndaj është normale që të mos ndajmë të njëjtin mendim. Por unë ta them me bindje, duke të parë në sy, se qytetarëve të Divjakës, Prenjasit, Belshit, Cërrikut, Fushë-Arrëzit dhe të gjitha zonave të tjera, jeta do t’u përmirësohet ndjeshëm brenda katër vitesh.
Mazniku: Pas katër vitesh do të ulemi sërish bashkë dhe do të jemi dakord, njësoj siç iu përmirësua jeta banorëve të Gradishtës, Rremasit, Grabjanit dhe Tërbufit.
Gorrea: Po përmend vetëm dy shërbime, Maznik. Ku do të ofrohet urbanistika?
Mazniku: Një pjesë e shërbimit do të qëndrojë aty, ndërsa pjesa tjetër do të kalojë në qendër.
Gorrea: Ku do të aplikohen dhe merren lejet e urbanistikës?
Mazniku: Në të njëjtin vend ku merren sot, pa ndryshuar asgjë.
Gorrea: Përse duhet të shkojë urbanistika në Lushnjë?
Mazniku: Sepse atje do të përgatitet plani urbanistik. Ti nuk je në gjendje të hartosh një plan të tillë dhe nuk ke bërë dot një plan urbanistik. Në vitin 2024-2025, bashkia jote nuk ka një urbanist. A ke urbanist në bashki?
Gorrea: Po të sjell edhe një shembull tjetër, Maznik. Para dy muajsh u reduktua shërbimi i gjendjes civile. Deri atëherë, ai ofrohej në çdo njësi, ndërsa tani është përqendruar në Divjakë. Shërbimi është përkeqësuar.
Mazniku: Përse mendon se është përkeqësuar? Sot, për gjendjen civile, paraqitja fizike nevojitet vetëm për regjistrimin ose çregjistrimin e vdekjeve dhe për regjistrimin ose çregjistrimin e lindjeve. Këto janë të vetmet veprime për të cilat duhet të shkosh personalisht në zyrën e gjendjes civile. A është e arsyeshme që unë dhe ti të paguajmë një person vetëm për të ofruar një shërbim, një ditë në muaj? Ndërkohë, të gjitha shërbimet e tjera të gjendjes civile mund të merren online.
