Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë sot, më 5 tetor 2026, një seancë të jashtëzakonshme plenare. Punimet do të nisin në orën 09:00, ndërsa në rendin e ditës janë përfshirë gjithsej 22 pika, mes tyre çështje ligjore, marrëveshje financiare, emërime në borde dhe institucione, si dhe projektligje për drejtësinë, energjinë, inovacionin dhe buxhetin.
Të lidhura
None found
Deputetët do ta nisin shqyrtimin me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Një tjetër çështje që pritet të trajtohet është ratifikimi i Marrëveshjes së Kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, e lidhur për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.
Sipas njoftimit të Kuvendit, në seancë do të shqyrtohen edhe ndryshimet në marrëveshjet financiare të Kosovës me Bashkimin Evropian për programet IPA 2021 dhe IPA 2022. Në agjendë është përfshirë gjithashtu Marrëveshja Financiare për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.
Rendi i ditës përfshin edhe zgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, të kryesuesit të këtij bordi, të Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, si dhe përzgjedhjen e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Ndër projektligjet që do të shqyrtohen është ai për Byronë Shtetërore dhe Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Po ashtu, pritet të trajtohet ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe projektligji që rregullon rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve e prokurorëve.
Deputetët do të diskutojnë edhe ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Në listën e shqyrtimeve janë gjithashtu Projektligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe Projektligji për Akademinë e Drejtësisë.
Seanca do të përfshijë edhe projektligjet për Energjinë, Energjinë Elektrike, Inovacionin dhe Ndërmarrësinë, si dhe atë për pagesat e vonuara në transaksionet tregtare. Në agjendë janë përfshirë edhe ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 dhe Projektligji për Menaxhimin e Resurseve Ujore.
Para nisjes së seancës plenare, në orën 08:00, do të mblidhet Komisioni për Legjislacion për të shqyrtuar projektligjin. Mbledhja është konfirmuar nga kryetari i komisionit, Vigan Qorrolli.
