Një goditje izraelite ndaj një banese në qytetin e Gazës shkaktoi vdekjen e pesë personave, mes tyre katër gra, raportuan mediat palestineze.
Të lidhura
None found
IDF-ja pranoi se ishte përgjegjëse për sulmin dhe bëri të ditur se goditja kishte në shënjestër një prej figurave drejtuese të Hamasit në Rripin e Gazës.
Sipas ushtrisë izraelite, objektivi ishte Ali al-Amoudi, i përshkruar si “krahu i djathtë” i Yahya Sinwar, ish-udhëheqësit të Hamasit në Gaza, i vrarë nga forcat izraelite në tetor 2024. Megjithatë, autoritetet izraelite ende nuk kanë konfirmuar nëse al-Amoudi ka humbur jetën apo është plagosur.
Një zëdhënës i IDF-së deklaroi se al-Amoudi kishte marrë pjesë në planifikimin e sulmit të Hamasit kundër Izraelit, më 7 tetor 2023. Sipas tij, urdhri për goditjen u dha pasi ai u lokalizua brenda një ndërtese banimi, duke e cilësuar këtë si një tjetër rast ku Hamasi përdor civilët si mburoja njerëzore.
“Ali al-Amoudi është zyrtari më i lartë i Hamasit në Rripin e Gazës dhe është i përfshirë drejtpërdrejt në aktivitete terroriste, si dhe në përpjekjet për rindërtimin e organizatës. Ai u vu në shënjestër me qëllim eliminimin e kërcënimit”, thuhej në deklaratën e ushtrisë izraelite.
Goditja ndodhi në lagjen Rimal, në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës. Pesë viktimat u nxorën nga ndërtesa e dëmtuar, ndërsa një zëdhënës i spitalit Al Shifa konfirmoi për AFP-në se bëhej fjalë për katër gra dhe një burrë.
Mahmoud Bassal, zëdhënës i Agjencisë së Mbrojtjes Civile në Gaza, tha se ndërtesa u godit nga dy raketa dhe se pas sulmit shpërtheu një zjarr.
