Presidenti amerikan Donald Trump ka caktuar Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, në krye të një grupi pune të Shtëpisë së Bardhë që do të merret me çështjet e inteligjencës artificiale (IA).
Të lidhura
None found
Clayton, i emëruar në këtë detyrë në gusht, do të drejtojë një task-forcë e cila, brenda 120 ditëve, pritet të hartojë një vlerësim për mundësitë dhe rreziqet që shoqërojnë përparimin e teknologjive të IA-së, raportoi Wall Street Journal.
Duke e cilësuar grupin si “Forca Super Inteligjence”, Clayton tha se synimi kryesor është ruajtja e epërsisë së Shteteve të Bashkuara në zhvillimin e inteligjencës artificiale, krahas mbrojtjes së interesave amerikane.
Ai ka paralajmëruar se mundësia që SHBA-ja të mos mbajë vendin e parë në zhvillimin e teknologjive të avancuara të inteligjencës artificiale përbën një rrezik të konsiderueshëm.
Një tjetër përgjegjësi e task-forcës do të jetë hartimi i propozimeve për përballimin e kërcënimeve që IA-ja mund t’i shkaktojë shoqërisë. Megjithatë, administrata Trump synon të mos vendosë rregulla të tepërta mbi këtë sektor dhe të parandalojë atë që e quan “kapje rregullatore”, pasi këto praktika, sipas saj, mund të frenojnë inovacionin dhe konkurrencën.
Zyrtarë të cituar nga Wall Street Journal bëjnë të ditur se menaxhimi i pjesës më të madhe të rreziqeve të lidhura me IA-në pritet t’u lihet kompanive të industrisë, ndërsa qeveria do të bashkëpunojë me aktorët e këtij sektori.
Siguria e inteligjencës artificiale ka zënë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në debatin publik amerikan. Disa studiues kanë ngritur shqetësime për pasojat e mundshme të zhvillimit të teknologjive gjithnjë e më të avancuara, ndërsa ligjvënës demokratë dhe republikanë kanë kërkuar marrjen e masave.
Trump ka shfaqur rezerva ndaj një rregullimi të fortë të IA-së. Sipas tij, mbikëqyrja e tepruar mund të dobësojë aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të konkurruar me Kinën në këtë fushë strategjike.
Në përbërje të grupit pritet të jenë edhe Zëvendëspresidenti J.D. Vance, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, Sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe Shefja e Shtabit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles.
