Qeveria e ka miratuar mbrëmë Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Vendimi është përshëndetur sot nga ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.
Të lidhura
None found
Pas miratimit nga ekzekutivi, projektligji duhet të shqyrtohet dhe të votohet në Kuvendin e Kosovës. Kryeziu ka vlerësuar për kp se procedura duhet të zhvillohet me urgjencë, për shkak të kohës së kufizuar kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, e cila përfundon më 6 tetor.
Sipas tij, Kuvendi duhet ta thërrasë seancën sonte ose, më së voni, nesër, në mënyrë që të respektohen afatet ligjore dhe rregullat parlamentare.
Kryeziu ka thënë se miratimi i projektligjit në të dy leximet është i mundur nëse seanca mbahet në kohë. Ai ka sqaruar se, nëse votimi në lexim të parë bëhet nesër, leximi i dytë mund të zhvillohet pas dy ditësh, duke krijuar më pas mundësinë për zgjedhjen e presidentit.
Kryeziu: Projektligji për Specialen duhet të procedohet pa vonesë
“Ligji që është propozuar në Qeveri dhe duhet t’i kalojë Kuvendit është një veprim shumë i mirë të cilin e ka bërë Qeveria. Dhe kjo duhet bërë në mënyrë të shpejtë, duke pasur parasysh që e kemi afatin e shkurtër deri më 6 tetor. Kështu që ata mund ta mbajnë sonte seancën, nesër, më së voni, edhe mund të lexohet dy herë në Parlament”, ka deklaruar Kryeziu.
Ish-gjyqtari ka theksuar se ligjet në Kosovë hyjnë në fuqi pasi të miratohen në dy lexime. Ai ka shtuar se periudha ndërmjet këtyre dy votimeve duhet të jetë së paku 72 orë.
Kryeziu është shprehur edhe për pasojat e mundshme nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues. Ai ka vlerësuar se zyrat e Presidencës nuk mund të mbeten pa ushtrues të detyrës dhe se, bazuar në logjikën juridike e politike, kryetari i Kuvendit duhet të vazhdojë ta kryejë funksionin e presidentit.
Kryeziu: Presidenca nuk duhet të mbetet pa drejtim
“Këtu kemi vakum kushtetues, por në bazë të logjikës juridike dhe politike, duhet të vazhdojë kryetari i Parlamentit, i cili është rizgjedhur, dhe të vazhdojë edhe gjashtë muaj, domethënë nga pika zero. Kështu që zyrat e Presidencës nuk duhet të mbesin bosh, duke pasur parasysh se është një autoritet shumë i rëndësishëm për Kosovën . Dhe kjo lidhet me kapitullin 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ku parashihen në moment të caktuara edhe gjendja e jashtëzakonshme dhe gjendje të tjera të cilat nuk janë të rregullta në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se kjo çështje ndërlidhet me kapitullin 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ku përcaktohen raste të veçanta, përfshirë edhe gjendjen e jashtëzakonshme.
Ndërkaq, sipas Kryeziut, nëse deri më 6 tetor nuk zgjidhet presidenti, Kosova mund të përballet me zgjedhje të jashtëzakonshme.
Kryeziu: Nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, pasojnë zgjedhjet
“Afati kritik është i bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që thotë deri më 6 tetor duhet të zgjidhet presidenti. Pas 6 tetorit, atëherë në bazë të gjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ne duhet të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Kryeziu.
PDK-ja dhe Aleanca kanë kërkuar sot që seanca e Kuvendit të mbahet më 3 tetor, me qëllim të shqyrtimit dhe votimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Këto parti kanë kërkuar përshpejtimin e procedurave parlamentare dhe miratimin e projektligjit në të dy leximet deri më 6 tetor.
