Edhe dy muaj e gjysmë pas riorganizimit të Qeverisë, me të cilin u zëvendësuan gjithsej tetë ministra, emërimet e reja të zv.ministrave dhe drejtuesve të institucioneve ende nuk janë përmbyllur. Kryeministri Hristijan Mickoski përsëriti se procedura do të finalizohet së shpejti, njësoj siç kishte deklaruar edhe një muaj më parë.
Të lidhura
None found
Sipas tij, emrat dhe pozicionet janë përcaktuar në vija të përgjithshme, por duhet të marrin edhe konfirmimin e koalicionit. Mickoski tha se kjo pritet të ndodhë brenda një ose dy javësh.
Pas ndryshimeve të fundit në kabinet, vendet e zv.ministrit të Kulturës dhe të Politikës Sociale mbetën të lira, pasi Sedat Sulejmani dhe Gjoko Vellkovski u emëruan ministra. Në të njëjtën kohë, janë paralajmëruar lëvizje edhe në nivelet e drejtorëve dhe zv.drejtorëve.
Deri tani, megjithatë, nuk është bërë publik asnjë kandidat konkret. Përfaqësuesit e partisë VLEN deklarojnë se procesi i riorganizimit do të vijojë edhe në nivelin e dytë.
Nga VLEN sqarojnë se po shqyrtohen pozitat që burojnë nga marrëveshja e koalicionit dhe se, në rastet kur shihet e nevojshme, do të paraqiten propozime për ndryshime te drejtorët dhe zëvendësdrejtorët. Sipas tyre, emrat ende nuk janë formalizuar.
Ndryshimet e para në Qeveri u miratuan nga Kuvendi më 13 korrik. Në postet ministrore u zgjodhën Jeton Shasivari në Drejtësi, Agon Ferati në Marrëdhënie mes Bashkësive, Borçe Serafimovski në Bujqësi, Sasho Klekovski në Shëndetësi, Gjoko Vellkovski në Politikë Sociale, Ivan Stoillkoviq në Vetëqeverisje Lokale, Sedat Sulejmani në Kulturë dhe Erxhan Demir si ministër pa portofol./Alsat/
