Një incident alarmues ka ndodhur në shkollën fillore të Trepuzzit, në provincën e Leçes në Itali, ku një nxënës vetëm 6 vjeç u kap me një thikë kuzhine 13 centimetra të gjatë brenda çantës së tij shkollore.
Të lidhura
None found
Ngjarja doli në dritë gjatë orarit të mësimit, pasi një bashkëmoshatar e lajmëroi mësuesen se në çantë ndodhej një mjet prerës; pasi u kontrollua çanta, arma e ftohtë u gjet dhe drejtoria e shkollës njoftoi pa vonesë prindërit dhe autoritetet përkatëse.
Në vendin e ngjarjes mbërritën karabinierët, ndërkohë që u vunë në lëvizje edhe shërbimet sociale. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se fëmija mund të jetë nxitur nga një bashkëmoshatar për ta marrë thikën në shkollë, si pasojë e një konflikti të mëparshëm midis nxënësve.
Karabinierët kanë nisur verifikimet për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje, nën koordinimin e Prokurorisë për të Miturit në Leçe.
Kryetari i bashkisë së Trepuzzit, Giuseppe Maria Taurino, deklaroi se situata është nën kontroll dhe u bëri thirrje prindërve e qytetarëve të mos krijojnë panik dhe të mos shpërndajnë informacione të pakonfirmuara.
“Është një fakt kritik që nuk mund dhe nuk duhet të na lërë indiferentë”, u shpreh kryebashkiaku, duke nënvizuar se rasti përfshin të mitur dhe kërkon vëmendje e përgjegjshmëri maksimale.
