Në akademinë përkujtimore të zhvilluar për të shënuar tre vjet nga rënia në krye të detyrës e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, përkujtoi agresionin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Ajo theksoi se Policia e Kosovës kishte parandaluar një përpjekje të Serbisë për të shkëputur dhe aneksuar veriun e vendit.
Të lidhura
None found
Haxhiu u shpreh se institucionet e Kosovës kanë paraqitur prova që tregojnë se anëtarët e atij grupi ishin trajnuar dhe përgatitur në Serbi, ndërsa pjesa më e madhe e armatimit gjithashtu vinte nga Serbia.
Sipas saj, në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit 2023, Afrim Bunjaku dhe kolegët e tij u nisën drejt Banjskës pasi u informuan se hyrja e fshatit ishte bllokuar me dy kamionë. Ajo që i priti atje nuk ishte një incident i thjeshtë policor, por një sulm terrorist i organizuar paraprakisht nga një grup i armatosur rëndë me eksploziv, armë automatike të blinduara dhe sasi të mëdha municioni. Haxhiu shtoi se qëllimi nuk ishte vetëm goditja e Policisë së Kosovës, por ndarja e një pjese të territorit të Republikës së Kosovës dhe bashkimi i saj me Serbinë, çka është konstatuar edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë përmes aktgjykimit për rastin Banjska gjatë këtij viti.
Ajo përmendi edhe përvojën e gjatë të rreshterit Bunjaku, duke theksuar se ai kishte 22 vjet në Policinë e Kosovës dhe 16 vjet si rreshter.
Haxhiu tregoi se kur policët arritën te bllokada, Bunjaku nuk i la më të rinjtë të shkonin para tij dhe doli vetë i pari. Në atë moment shpërtheu një mjet eksploziv. Ai dhe polici Alban Rashiti mbetën të plagosur, ndërsa menjëherë më pas mbi policët u hap zjarr. Nëntoger Mirsad Kryeziu arriti ta tërhiqte Afrimin nga vendi ku kishte mbetur i plagosur. Afrim Bunjaku ndërroi jetë atë mëngjes në krye të detyrës, por plani për të cilin ishte organizuar ai sulm dështoi. Kolegët e tij vazhduan operacionin, Policia e Kosovës e mori situatën nën kontroll dhe e ndaloi grupin e armatosur që të merrte kontrollin e territorit në veri të vendit. Sipas Haxhiut, përpjekja për shkëputjen dhe aneksimin e veriut dështoi falë guximit, profesionalizmit dhe vendosmërisë së Policisë së Kosovës.
