Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës, ka përkujtuar sulmin e Banjskës dhe vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku, duke theksuar se sot shënohen tri vite nga dita kur emri i tij iu bashkua listës së dëshmorëve të Kosovës.
Të lidhura
None found
Në këtë përvjetor të tretë, Haradinaj shprehu nderimin më të thellë për atë që ra në krye të detyrës, duke mbrojtur Kosovën e lirë dhe të pavarur nga agresioni dhe grupet kriminale serbe. Ai nënvizoi se rënia e Bunjakut në Banjskë dëshmoi qartë se agresorët nuk i kanë ndërprerë sulmet dhe synimet e tyre ndaj Kosovës as pas vitit 1999.
Haradinaj e cilësoi si një ironi të dhimbshme të historisë faktin që agresorët, të cilët prej dekadash sulmojnë Kosovën, vazhdojnë të mbeten të lirë, teksa vendi ende përjeton sulme prej tyre. Ndërkohë, sipas tij, çlirimtarët që e mbrojtën këtë tokë në ditët më të vështira po përballen padrejtësisht me gjyqin në Hagë.
Ai paralajmëroi se kushdo që përpiqet të rishkruajë historinë e Kosovës dhe të barazojë viktimën me agresorin, duhet ta dijë se plagët e këtij vendi janë ende krejtësisht të freskëta. Këto plagë mbeten të gjalla në lotët e nënave që ende presin ndonjë lajm për trupat e të zhdukurve me dhunë, në dhimbjen e heshtur të mijëra grave e burrave të dhunuar barbarisht, si dhe në çdo varr martiri e dëshmori që dëshmon çmimin e kësaj lirie.
Në fund, Haradinaj i dha lavdi të përjetshme Heroit të Kosovës, Afrim Bunjakut, si dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.
