Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se Ankara dhe Uashingtoni duhet të thellojnë bashkëpunimin në ekonomi, energji dhe fushën e mbrojtjes.
Të lidhura
None found
Gjatë një aktiviteti në Nju Jork, zhvilluar në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Erdogan foli për raportet me presidentin amerikan Donald Trump, të cilin e përshkroi si një “mik të çmuar”.
Sipas kreut të shtetit turk, dialogu i drejtpërdrejtë dhe pozitiv me Trumpin ka ndihmuar në arritjen e përparimeve të rëndësishme dhe vijon të japë rezultate në të gjitha fushat e marrëdhënieve dypalëshe.
Erdogan bëri të ditur se volumi tregtar mes Turqisë dhe SHBA-së e kaloi shifrën prej 38 miliardë dollarësh gjatë vitit 2025, ndërsa në tetë muajt e parë të këtij viti arriti në 28 miliardë dollarë. Ai e konsideroi të realizueshëm dhe të arritshëm synimin për rritjen e tregtisë dypalëshe në 100 miliardë dollarë.
Presidenti turk kërkoi që bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të shtrihet edhe në energjinë bërthamore, LNG, aviacionin civil dhe teknologjitë e avancuara.
Një vëmendje të veçantë në fjalën e tij Erdogan i kushtoi industrisë së mbrojtjes dhe koordinimit mes dy vendeve si aleate të NATO-s. Ai tha se pengesat që nuk duhet të ndajnë kurrë dy aleatë duhet të kapërcehen, në mënyrë që marrëdhënieve Ankara-Uashington t’u jepet një shtysë e re.
Ai theksoi gjithashtu se industria turke e mbrojtjes ka shënuar zhvillim të madh, ndërsa eksportet e këtij sektori tashmë kanë kaluar 10 miliardë dollarë në vit.
Sipas Erdogan, përballja me konfliktet dhe krizat në zona të ndryshme të botës kërkon një dialog të afërt mes Turqisë dhe SHBA-së. Në këtë kuadër, ai nënvizoi rëndësinë strategjike të Turqisë në Lindjen e Mesme, Kaukaz dhe Afrikën e Veriut.
Në përmbyllje, presidenti turk shprehu angazhimin për të forcuar më tej marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Uashingtonit gjatë viteve të ardhshme.
