Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, iu bashkua mbrëmjen e djeshme ekipit Kombëtar, i cili po vijon përgatitjet për ndeshjet e ardhshme në UEFA Nations League. Në takimin me lojtarët dhe stafin kuqezi, ai kërkoi përkushtim, bashkëpunim dhe një nisje sa më të mirë të këtij grumbullimi.
Duka e bëri të qartë se synimi i Shqipërisë është vendi i parë në grup, por theksoi se ky objektiv kërkon punë dhe përqendrim maksimal që në ditët e para. Grumbullimi përfshin katër ndeshje dhe sfida e parë do të jetë ajo kundër Bjellorusisë.
Të lidhura
None found
Sipas presidentit të FSHF-së, Shqipëria shihet në pamje të parë si favorite për të fituar grupin, por kjo epërsi duhet dëshmuar në fushën e lojës. Ai u shpreh se fitorja nuk vjen automatikisht, por vetëm përmes dëshirës, angazhimit, përqendrimit dhe seriozitetit në çdo seancë stërvitore e në çdo moment të grumbullimit.
“Duam ta nisim me sukses ndaj Bjellorusisë, edhe pse këtë synim e kanë të gjitha skuadrat. Edhe Bjellorusia dhe Finlanda besojnë se janë favorite, ashtu siç mendojmë edhe ne për veten. Por favorit bëhesh në fushë; ndeshja fitohet vetëm me impenjim maksimal”, theksoi Duka.
Ai nënvizoi gjithashtu se forca kryesore e Kombëtares shqiptare nuk ka qenë historikisht prania e cilësive individuale të jashtëzakonshme apo e lojtarëve të nivelit më të lartë, por bashkimi i grupit dhe atmosfera pozitive brenda skuadrës.
Duka e cilësoi energjinë pozitive si një element që ndihmon në arritjen e rezultateve, ndërsa paralajmëroi se energjia negative nuk e çon ekipin askund. Sipas tij, fryma e skuadrës ka qenë pjesë e ADN-së së Kombëtares gjatë gjithë historisë dhe kjo traditë duhet të vazhdojë.
“Në grup kemi futbollistë me shumë eksperiencë, të cilët nuk është e nevojshme t’i përmend me emër, por kemi edhe lojtarë të rinj. Sfida është të ndërthurim eksperiencën me rininë dhe të krijojmë energjinë e jashtëzakonshme që i nevojitet futbollit”, deklaroi presidenti i FSHF-së.
Në përfundim, Armand Duka uroi skuadrën dhe stafin për ditët në vijim, duke kërkuar karakter, përqendrim dhe angazhim të plotë. Ai shprehu besimin se, me këtë qasje, Kombëtarja mund të renditet e para, ndërsa uroi lojtarët të kalojnë mirë në stërvitje dhe të festojnë fitoren ndaj Bjellorusisë për të udhëtuar të gëzuar drejt ndeshjeve të tjera.
