Pak para dy përballjeve të Ligës së Kombeve mes Irlandës dhe Izraelit, tensionet janë shtuar për shkak të debatit që lidhet me situatën në Gaza.
Shkak për përplasjen u bënë deklaratat e përzgjedhësit irlandez Heimir Hallgrimsson, të cilat Federata e Futbollit të Izraelit i cilësoi si “marrëzi, injorancë dhe hipokrizi”.
Të lidhura
None found
Gjatë një konference për media, Hallgrimsson u pyet se si do ta mbante skuadrën të përqendruar te futbolli, ndërsa në Irlandë po bëhen thirrje të shumta për bojkotimin e ndeshjeve për shkak të zhvillimeve në Gaza.
“E kam thënë tashmë, ne nuk po luajmë me gjenocidin, por kundër gjenocidit. Po luajmë kundër Izraelit, nuk po luajmë me Izraelin”, deklaroi trajneri i Irlandës.
Federata izraelite iu përgjigj menjëherë përmes llogarisë së saj zyrtare në rrjetin social X.
“Ne kemi kontribuar në botë dhe njerëzimin në shumë fusha, duke fituar një numër mbresëlënës të çmimeve Nobel”.
“Fatkeqësisht, ende nuk kemi gjetur një kurë për marrëzinë, injorancën dhe hipokrizinë që tregon trajneri i kombëtares irlandeze”, thuhej në reagimin e Federatës së Futbollit të Izraelit.
Institucioni izraelit vijoi me një kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë ndaj Hallgrimssonit: “Ne nuk po luajmë me injorancën, hipokrizinë dhe marrëzinë. Po luajmë kundër një trajneri që i mishëron ato”.
Për shkak të rrethanave, asnjëra prej dy ndeshjeve nuk do të luhet në vendin e ekipit pritës. Izraeli do ta presë Irlandën në Debrecen të Hungarisë më 27 shtator, ndërsa sfida e kthimit do të zhvillohet në Baçka Topolë të Serbisë më 4 tetor, me Irlandën si skuadër pritëse.
Në Irlandë, prej muajsh është zhvilluar një fushatë që kundërshton zhvillimin e këtyre takimeve.
Mbi 160 sportistë irlandezë kanë firmosur një letër të hapur, ku futbollistëve të kombëtares u është kërkuar të ndjekin ndërgjegjen e tyre dhe të mos marrin pjesë në ndeshje.
Pavarësisht kësaj fushate, Federata Irlandeze e Futbollit (FAI) vendosi në një asamble të jashtëzakonshme të mbajtur në korrik që përballjet të luhen.
Hallgrimsson ka bërë të ditur se disa lojtarë janë të parehatshëm për shkak të situatës. Megjithatë, ai vlerësoi se fakti që ata janë paraqitur në grumbullim dëshmon, sipas tij, për një frymë të jashtëzakonshme ekipore në rrethana të vështira.
